Qëndrueshmëria në ndjekje të kauzave: Rasti i Nagavcit dhe Demarkacioni - NACIONALE

Qëndrueshmëria në ndjekje të kauzave: Rasti i Nagavcit dhe Demarkacioni

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Aktakuza ndaj Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, e ngritur mbi pretendimet për armëmbajtje pa leje, vjen si rrjedhojë e një procesi të gjatë gjykimi, që kishte përfshirë brenda tij deputetë, ministra, dhe tani vetë kokën e ekzekutivit, Albin Kurtin. Si rëndom, siç arsyetojnë bashkëpartiakët e saj, z. Nagavci justifikoi veprën e saj, si një veprim patriotik karshi gjendjes së përgjithshme politike të Kosovës, gjatë asaj kohe. Ajo pohoi, se burimi i këtyre aktakuzave, rrjedh nga “aktiviteti i asokohshëm kundër Demarkacionit dhe Asosiacionit”, të cilat sipas saj “po përligjnin dëme në drejtim të territorit të Kosovës dhe sovranitetit të Republikës”.

Më tutje, Nagavci veprimtarinë e saj kundrejt këtyre temave i lidh me obligimin kushtetues që i buron nga betimi i saj si deputete e Republikës, në të kundërtën ajo pandeh se do të shkelte “betimin e deputetit”. Ndërsa në gjendje pothuajse të ngjashme ishte edhe Xhelal Sveçla, tani ministër Punëve të Brendshme. Përgjithësisht, mund të pohohet se ndaj tij, në dyshimin për veprimtarinë e futjes dhe përdorimit të gazit lotsjellës, ishte ngritur një aktakuzë e natyrës së ngjashme.

Nga ky proces njëjtë, do të thotë të akuzuar, kishin përfunduar kryeministri Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe disa deputetë tjerë. Madje, në rastin e të parit, dënimi me kusht i z. Kurti për përdorim të gazit lotsjellës brenda ambientit të sallës së Kuvendit, ishte shndërruar në një lëndë për Komisionin Qendror Zgjedhor, i cili e kishte gjykuar si të paligjshëm një kandidim të mundshëm për deputet të Kurtit. Në këtë frymë arsyetimi, KQZ-ja dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kishin vlerësuar se një kandidaturë e mundshme e Kurtit bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e përgjithshme, pasi që ky i fundit, nuk pahtëson një dallim në mes dënimit me kusht dhe atij të rregullt – rrjedhshëm, një kandidim i tillë është i paligjshëm.

Asokohe, gjykata kishte dënuar Kurtin, për veprën e përdorimit të armës me 1 vit e 6 muaj dhe për veprën e dytë të pengimit të personit zyrtar, me ndëshkim 6 mujor, dënim ky i mbledhur në një të vetëm, të zbritur në një 1 vit e 6 muaj, në formën e dënimit më kusht. Në këtë kontekst, ka rëndësi të theksohet se gjykata kishte shqiptuar një dënim krejt identik, për ish-deputeten Donika Kadaj-Bujupi, ndërsa gjykime të ngjashme kishin pranuar edhe deputetët si Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu.

Në të vërtetë, aq sa tregimi mbi këto aktakuza dhe ftesa për seanca është një storie e gjatë, e cila nuk ka një rrjedhshmëri logjike të punës, ngjashëm edhe vetangazhimi i deputetëve të asaj kohe nuk mund të shpjegohet nëpërmjet një narrative të angazhimit republikan, kinse për të shmangur një gjymtim të Republikës, nga ato marrëveshjet ‘famëkeqe’. Kësisoj, doemos duhet të kundrohet piktura e përgjithshme, në të cilën, angazhimi i këtyre deputetëve, kundrejt këtyre temave, gjatë asaj kohe, paraqet pikën fillestare dhe përfundimtare të krejt veprimtarisë së tyre.

Duhet të shfaqet në dritë fakti që, tashmë, kur këta deputetë zëlartë e kritikë, zënë pozicione ekzekutive në hierarkinë shtetërore, kanë pushuar së vepruari me zellin e njëjtë, prej shpëtimtari të republikës. Kështu që, ndonëse qeveria Kurti ka kaluar çerekun e mandatit të saj 4-vjeçar, nuk ka ndërmarrë asnjë hap përmbajtësor [të dukshëm] për të përmirësuar dëmtimin e pretenduar, nga ravijëzimi kufitar i arritur nëpërmjet marrëveshjes së – shumë-kritikuar – për Demarkacionin me Malin e Zi.

Përfundimisht, agjenda e një qeverie [jopopuliste] praktike, e rritur nga një kuazi e tillë, do të duhej të tregonte më tepër rëndësi, për rishikimin e marrëveshjes në fjalë – meqenëse, qeveria Kurti është e vetëdijësuar mbi dëmet masive që ajo i shkakton territorit të Kosovës.

Lajme të ngjashme