“Qasja e Qeverisë është duke e irrituar BE-në”: Kosova rrezikon të ballafaqohet me ndëshkime shtesë - NACIONALE

“Qasja e Qeverisë është duke e irrituar BE-në”: Kosova rrezikon të ballafaqohet me ndëshkime shtesë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Paralajmërimi i presidentit francez për mundësinë e pezullimit të liberalizimit të vizave për Kosovën, ka rritur shqetësimet për ashpërsimin e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës. Në kohen kur institucionet e Kosovës po presin që BE-ja t`i heq masat aktuale ndëshkuese ndaj Kosovës, njohësit e proceseve integruese kanë bërë me dije se Kosova mund të ballafaqohet me masa tjera.

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të reflektojë ndaj shqetësimeve të BE-së.

Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, Çollaku ka thënë se Kosova rrezikon të ballafaqohet me ndëshkime shtesë.

Për aq kohë sa nuk përmbushën tërësisht kërkesat e BE-së, sanksionet do të mbesin në fuqi dhe rrezikojmë që të ballafaqohemi edhe me ndëshkime shtesë. Kryeministri Kurti është i vetëdijshëm se ka pranuar një marrëveshje të keqe për Kosovën, dhe në këmbim të saj, Kosova nuk ka përfituar asgjë”, ka thënë ai, duke treguar se pse kryeministri Kurti nuk po i respekton marrëveshjet.

“Si rrjedhojë, kthimi në normalitet dhe zbatimi i marrëveshjes së arritur, nuk përkon fare me interesin personal dhe të partisë që udhëheq kryeministri Kurti. Asociacioni dhe autonomia e zgjeruar për serbët e cila është në thelb të marrëveshjes Kurti- Vuçiç, është ankthi konstant për Kurtin dhe partinë e tij”, ka theksuar ai.

Ai ka bërë me dije se qasje e Kosovës po i irriton vendet e BE-së.

Nuk ka asgjë të panjohur këtu. Kërkesat e BE-së dhe SHBA-së për deeskslimin e gjendjes në veri të vendit, janë të qarta. Në anën tjetër, qeveria dhe kryeministri Kurti nuk i kanë përmbushur qëllimisht ato kërkesa. Kjo qasje e papërgjegjshme e qeverisë është duke e irrituar BE-në dhe shtetet anëtare të saj. Tendencat e qeverisë për të manipuluar apo blerë kohë edhe më shumë me veprime të paqarta dhe të përgjysmuara, nuk do të sjell asnjë përfitim”, është shprehur Çollaku.

Edhe drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha, ka përmendur mundësinë e ndëshkimeve të reja.

Ai ka thënë se ato do të vijnë në shprehje vetëm nëse rrezikohet stabiliteti rajonal.

Sipas tij, pezullimi i liberalizimit të vizave për kosovarët do të ishte hap ekstrem.

Pezullimi i liberalizimit të vizave është akt ekstrem që merret në raste ekstreme. Për shembull Rusisë iu pezullua vetëm pasi që pushtoj Ukrainën. Vanautusë iu pezullua vetëm pasi që refuzoj me kokëfortësi të ndal skemën e “pasaportave të arta”. Serbisë nuk iu pezullua liberalizimi përkundër që u shndërrua në portën kryesore të migrimit ilegal në BE. Çfarë dua të them është se standardi i pezullimit te liberalizimit të vizave është shumë shumë i lartë. Ne sot jemi shumë larg këtij standardi”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, presidenti francez nuk ka thënë asgjë të re.

Rrjedhimisht ai aty flet 10 sekonda për Ballkanin dhe vetëm në kuptimin e gjësë më të rëndësishme: sigurisë, stabilitetit dhe paqes. Prandaj ai paralajmëron se në raste ekstreme të kërcënimit të sigurisë në Ballkan, patjetër që edhe liberalizimi i vizave mund të pezullohet. Kjo nuk është risi. Por ne sot jemi shumë larg këtij skenari, prandaj përderisa plotësisht mirëkuptoj ankthin që kemi nga kjo puna e vizave duhet të flemë qetë duke ditur se asgjë në BE nuk ka ndryshuar sa i përket kësaj çështje”, ka shkruar Shasha.

Paralajmërimi i Macronit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ditë më parë në fjalimin e tij para ambasadorëve, ka folur edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ku ndër të tjera ka paralajmëruar masa ndaj palëve nëse nuk veprojnë me përgjegjësi.

Një ndër masat që mund të merret është edhe pezullimi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ne presim që paqja do të kthehet në këtë pjesë. Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.” – ka thënë ai.

Kjo deklaratë ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovës, ku zyrtarët e opozitës kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të marrë me seriozitet këto paralajmërime.

Kujtojmë se nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme