Presidentja Osmani e ashpër dhe kërcënuese ndaj Macronit: Kjo është mënyra për ta vrarë dialogun - NACIONALE

Presidentja Osmani e ashpër dhe kërcënuese ndaj Macronit: Kjo është mënyra për ta vrarë dialogun

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për paralajmërimet e presidentit të Francës, Emmanuel Macron për pezullimin e vizave nëse nuk veprohet me përgjegjësi për marrëveshjen me Serbinë. Osmani ka bërë paralajmërim të ashpër dhe kërcënues se nëse merret një masë e tillë do të ketë “vdekje të dialogut” dhe kjo është deklarata e parë zyrtare e Kosovës në raport me ketë çështje.

Ajo ka thënë pezullimi i vizave e vret dialogun përgjithmonë dhe se këto masa nuk janë ndaj politikanëve por ndaj popullit të Kosovës.

Osmani theksoi pezullim i vizave do të ishte një padrejtësi e madhe dhe se nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel.

Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet.” – ka thënë Osmani në deklarim për medie pas homazhe në Ditën e Pagjeturve te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.

Më tej, ajo ka thënë se “nuk do të vijë deri ajo punë, Kosoova i ka plotësuar dhe stërplotësuar kriteret dhe Kosova e ka merituar këtë dhe nuk është bërë dhuratë”.

Kujtojmë se Macron ka paralajmëruar masa ekonomike dhe liberalizimi i vizave nësë Kosova dhe Serbia nuk sillen me përgjegjësi.

Paralajmërimi i Macronit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ditë më parë në fjalimin e tij para ambasadorëve, ka folur edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ku ndër të tjera ka paralajmëruar masa ndaj palëve nëse nuk veprojnë me përgjegjësi.

Një ndër masat që mund të merret është edhe pezullimi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ne presim që paqja do të kthehet në këtë pjesë. Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.” – ka thënë ai.

Kjo deklaratë ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovës, ku zyrtarët e opozitës kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të marrë me seriozitet këto paralajmërime.

Kujtojmë se nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme