Qarjet e Vuçiqit dhe krenaria e Besnik Bislimit: A po fiton Kosova përballë Serbisë? - NACIONALE

Qarjet e Vuçiqit dhe krenaria e Besnik Bislimit: A po fiton Kosova përballë Serbisë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit në vendin tonë. Dhe... përsëri, u dëgjua komshiu i zakontë derisa ia kriste vajit në gjuhën e tij. Po flasim për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin. Por, pse ai e bën vazhdimisht një gjë të tillë dhe a po flasim për lotë krokodili apo për lotë të vërtetë?

Të parët tanë besonin që krokodilët derdhnin lotë derisa e hanin viktimën e tyre. A po derdh lotë z. Aleksandër Vuçiq derisa në një mënyrë a tjetrën po e han Kosovën?

Vuçiq vajtoi së fundi për mos-lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të 3 prillit në Kosovë. E paraprakisht, kishte qarë për mos-lejimin e mbajtjes së Referendumit në janar; paralajmërimet për mos-respektimin e Marrëveshjes së Washingonit; paralajmërimet për vendosjen e Reciprocitetit të plotë dhe shumë e shumë të tjera.

Më ‘simpatikja’ ndoshta kishte qenë qarja për ‘vendosjen e tarifës doganore (taksës 100%) nga Qeveria Haradinaj II ndaj mallrave të importuara nga Serbia..

“Nuk duhet të harroni se ka 70 ditë prej që na janë vënë taksat 100 për qind në mallrat tona, që është në kundërshtim me CEFTA, në kundërshtim me të gjitha normat dhe drejtat evropiane, ndërsa ne as nuk qajmë as nuk vajtojmë, durojmë...” – kishte qarë e vajtuar z. Vuçiq.

T Ë Q A SH vs. T Ë K R E N O H E SH

Në një intervistë të dhënë për transmetuesin publik, kryeministri Albin Kurti ishte shprehur – kushtimisht thënë – me “pikë, jo me presje”.

Kosova është shtet i pavarur, “pikë, jo presje”! Ai e kishte pranuar se ambasadat e QUINT-it kishin mbetur të dëshpëruara me qasjen e tij, por megjithatë nuk kishte ngurruar edhe të shprehej krenarisht me veprimin e bërë.

Në lidhje me mos-mbajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit, ka reaguar edhe ndërmjetësi i Bashkimit Evropian [BE] për dialogun, Mirosllav Lajçak i cili deridiku na qet në rrugë për t’i kuptuar vajtimet e z. Vuçiq.

“Zyrat ndërlidhëse janë i vetmi kanal i komunikimit që ekziston mes dy qeverive. Nëse do të kishim komunikim normal ndër-shtetëror midis Serbisë dhe Kosovës, atëherë nuk do të kishte nevojë për dialog. Dialogu zhvillohet për t’i normalizuar marrëdhëniet. Andaj, Quint-i ka bërë përpjekje t’i adresojë ndjeshmëritë. Por, për fat të keq, nuk ka funksionuar – kishte thënë ai.

Qeveria e Kosovës tashmë është vënë në pozicion të vështirë diplomatik përkundër që mundësitë për të shfrytëzuar situatën e krijuar pas agresionit rus – me të cilën Serbia ka raporte të mira historike – ishin dhe ndoshta mbeten të mëdha.

Por, a po funksionon ‘diplomacia e krenarisë’?

Në një reagim të para disa muajve, shefja e diplomacisë tonë, Donika Gërvalla, kishte thënë se “nuk kemi nevojë ta lusim Greqinë për njohje”, çka kishte shkaktuar edhe kritika në vendin tonë.

Greqia ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës, megjithëse disa herë kishte pasur shenja se një gjë e tillë mund të ndodhte.

Reagimi nga Gërvalla për njohjen nga Greqia përbën një ilustrim të qartë të ‘diplomacisë” që bëhet nga një pozicion krenarie.

Por, një shembull më i vonë është skandali i z. Besnik Bislimi pas një takimi në Këshillin e Evropës. Bislimi që po krenohej se ishte mirëpritur aplikimi nga z. Bjorn Berge, ishte përgënjeshtuar po nga ky i fundit, e madje edhe publikisht.

Por, a po funksionojnë lotët e krokodilit z. Vuçiq?

Përmes një opinioni të publikuar në The Economist, e të përkthyer nga Nacionalja, presidentja Vjosa Osmani denonconte ‘përkëdheljen’ që i bëhej Aleksandër Vuçiqit nga Evropa. Ajo e quante Vuçiqin autoritar.

Vuçiq ka marrë mbështetje të fortë nga Bashkimi Evropian vazhdimisht, me Aleks Erorin nga Foreign Policy që konsideronte se ai ishte bërë “Autokrati i preferuar” tashmë. Një gjë të tillë e bënin sepse “po e zgjedhnin stabilitetin para demokracisë” në Serbi.

Në një përgjigje për Nacionalen, studiuesi Abit Hoxha përveç mobilizimit të ‘votuesve’ si qëllim për vajin e Vuçiqit e sheh pikërisht edhe forcimin e pozicionit të Serbisë para bashkësisë ndërkombëtare.

“Vuçiqi së pari këtë qarje e bën sepse për më pak se një muaj ka zgjedhjet presidenciale dhe i duhet përkrahja shumë e madhe e votuesit. Në Serbi, tema e Kosovës është temë që fiton zgjedhjet dhe prandaj ky vaj për moslejim të zgjedhjeve. Por ka edhe një aspekt tjetër që Vuçiq e synon që është edhe bashkësia ndërkombëtare dhe kësaj radhe si duket ka arritë qëllimin sepse tanimë ka një deklaratë që dënon sjelljen e Qeverisë Kurti për këtë qëndrim të fortë.” – u shpreh z. Hoxha.

Qeveria Kurti II është kritikuar vazhdimisht nga njohës të fushës në lidhje me mungesën e njohjeve të reja, qasjen në dialog dhe mungesën e aplikimeve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme