Pushteti i miraton dy projektligje të rëndësishme në kundërshtim me kërkesat e BE-së - NACIONALE

Pushteti i miraton dy projektligje të rëndësishme në kundërshtim me kërkesat e BE-së

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje, me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës, pa opozitën, ka miratuar dy Projektligje në kundërshtim me kërkesat e Bashkimit Evropian.

Fjala është për Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Projektligji për KPK-në është miratuar me 61 vota për, kurse ai për KPM-në me 60 vota për, kurse abstenoi deputeti Dimal Basha.

Gjatë kohës që po votohej për Projektligjin për KPM-në, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka shprehur pak pakënaqësi se ky dokument është vetëm “pjesërsisht” me legjislacionet e BE-së.

“Pjesërisht në rekomandim me legjislacionet e BE-së. Nuk pasna dëgjuar kështu, pjesërisht. Kur bjen diçka, nuk është pjesërisht, bjen në kundërshtim. Nuk pasna dëgju kështu. Një pjesë janë në kundërshtim me legjislacionin e BE-së dmth. Nuk ish dashtë deputetët me votu diçka në kundërshtim me legjislacionin e BE-së”, ka thënë Konjufca.

E pak minuta më pas, edhe vet Konjufca u bë pjesë e këtij votimi pro, duke votuar në kundërshtim me kërkesat ndërkombëtare.

Kryetari i Komisionit për Media, Valon Ramadani, ka lavdëruar punën e bërë në këtë dokument, pavarësisht se pa përkrahjen e institucioneve ndërkombëtare.

“Komisoni për Media ka gjashtë muaj që e shqyrton këtë projektligj, ka mbajtur 8 dëgjime publike. Kemi pasur komente të shumta nga organizata vendore, shoqëria civile, OSBE, BE dhe Këshilli i Evropës. I kemi analizuar të gjitha me seriozitet, dhe në fund ka rezultuar se janë 93 amendamente që e ndryshojnë edhe në përbërje Projektligjin”, tha ai, raporton Nacionale.

Për Projektligjin për KPM-në ka pasur reagime të ashpra nga shoqëria civile dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Këta të fundit kanë theksuar se në këtë formë, pushteti po synon t’i kapë mediat.

“Votimi eventual i tij do të jetë një grusht i fortë i rradhës nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar lirisë dhe pluralizmit të medias. Përbërja e projektligjit është në kundërshtim me standardet e Këshillit të Europës dhe Komisionit Europian për lirinë e medias. Projektligji është kundërshtuar nga secila organizatë ndërkombëtare që merret me lirinë e medias”, ka shkruar juristja e medias, Flutura Kusari.

Në anën tjetër, në mesin e tri Projektligjeve të kundërshtuara nga ndërkombëtarët, nuk kaloi Projektligji për Zyrtarët Publikë.

Për këto tri ligje, Bashkimi Europian ka shprehur keqardhjen për “dështimin” e Kosovës për të inkorporuar rekomandimet e tyre.

Zyra e BE-së në Kosovë, në një komunikatë për media më 26.06.2024, i ka bërë thirrje Kuvendit që të rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për të siguruar që këto projektligje të përmbushin standardet perëndimore.

Këtë deklaratë e ka shpërndarë ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde dhe ka thënë se e ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë.

“Pavarësisht se këto tri ligje janë të rëndësishme për rrugën e Kosovës drejt BE’së, shumica e rekomandimeve të BE’së dhe KiE u injoruan”., shkroi ai.

Lajme të ngjashme