Publikohet një draft i Raportit të Progresit, Kosova vlerësohet pozitivisht për qëndrimet kundër Rusisë
Nesër, Komisioni Evropian do ta publikojë “Raportin e Progresit” për Kosovën, që i tregon të gjitha përparimet, ngecjet e vendnumërimin në sektorë të ndryshëm përgjatë një viti. Tashmë Radio Evropa e Lirë ka botuar një draft të raportit, që zyrtarisht do ta shohë dritën me 12 tetor. Kryefjala e Raportit mbeten, megjithatë, nevoja për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe dialogu mes Kosovës e Serbisë, që lehtësohet nga BE-ja.
Në këtë draft të publikuar, ka një vlerësim të dyzuar, me njohje të “një lloj progresi”, por edhe me kritika për gjendjen e legjislativit, gjyqësorit, e situatës së sigurisë në veri të Kosovës.
Por, në shumë aspekte, “Raporti i Progresit” vlerëson se ka vetëm një progres të kufizuar, duke vlerësuar se Kosova, megjithatë, ka pasur “stabilitet politik”.
Sipas REL-it, në “Raportin e Progresit” nënvizohen ndikimet në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, të shkaktuara nga “ndryshimi i rrethanave globale” pas pushtimit të pjesshëm të Ukrainës nga Rusia.
Tutje, në raportim theksohen se Komisioni veçanërisht situata ekonomike në Ballkanin Perëndimor, agjenda e gjelbër evropiane dhe përshtatja e vendeve të këtij rajoni me politikat e BE-së.
Draft-raporti për Kosovën
Komisioni Evropian, sipas draftit, e ka ripërsëritur qëndrimin tashmë të njohur se Kosova e meriton liberalizimin e vizave.
“Përsëritet se Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Aty, po ashtu, theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje”, shkruhet në draft-raport.
Kosova ka fituar kredite edhe në aspektin e rreshtimit kundër pushtimit rus të Ukrainës, duke vlerësuar se shteti kosovar i ka përshtatur qëndrimet me BE-në në këtë pikë.
Natyrisht, dialogu mes Kosovës e Serbisë zë një vend të veçantë në draft-raportin e publikuar, ku përsëri vihet theksi te nevoja për një marrëveshje gjithëpërfshirëse e ligjërisht obliguese mes dy vendeve.
“Kosova duhet të angazhohet në mënyrë më konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale për implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në të kaluarën, si dhe të kontribuojë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, për normalizimin e raporteve me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe kyçe për t’u mundësuar Kosovës dhe Serbisë avancimin në rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, theksohet në draftin e raportit e botuar nga REL-i.
Përveç takimeve në rangun e liderëve e kryenegociatorëve, draft-raporti i përmend edhe ujdinë për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjes për energji dhe marrëveshjen për udhëtimin vetëm me letërnjoftim mes Kosovës e Serbisë.
Në këtë draft të botuar, Komisioni Evropian ka shumë kritika ndaj mënyrës se si është menaxhuar agjenda legjislative në Kuvendin e Kosovës.
“Puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, përkundër faktit se Qeveria bazohet në një shumicë të fortë”, vlerësohet në dokument.
Raportohet se KE-ja ka pasur kritika edhe ndaj deputetëve të opozitës, siç theksohet, të cilët kanë abstenuar nga votimi për miratimin e vendimeve në Kuvend.
“Për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit thuhet se Kosova është ende në “një fazë të hershme” dhe se këtu është arritur “një lloj progresi”, shkruan REL.
Ndërkohë gjyqësori është vlerësuar i “ngadalshëm dhe joefikas”, duke sugjeruar reforma gjyqësore përmes mjeteve ekzistuese, që i sigurojnë ruajtjen e integritetit, pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor.
“Përkushtimi i Qeverisë që të implementojë në tërësi mendimin e Komisionit të Venecias për vetting-un e gjykatësve dhe prokurorëve, në bashkëpunim të ngushtë me BE-në, është i mirëpritur”, thuhet në draftin e raportit.
KE-ja është shumë më kritike ndaj Serbisë, për të cilën konsideron se ka shënuar kthim prapa në përafrimin e qëndrimeve të saj me politikën e jashtme të BE-së në temën e sanksioneve ndaj Rusisë, e të cilat shteti serb vazhdon t’i refuzojë.
“Në dokument përmenden edhe disa shifra, sipas të cilave, Serbia, në vitin 2021, i ka përshtatur në nivelin prej 64% qëndrimet e saj me ato të BE-së, ndërsa në gusht të këtij viti ka rënë në 45%”, shkruan REL.
Ndërsa fillimi i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është cilësuar si moment historik.
Megjithatë, në mënyrë të veçntë, KE-ja, sipas draft-raportit, i kërkon Shqipërisë të angazhohet tutje për ta penguar emigrimin ilegal.
Maqedonia e Veriut, sipas KE-së, ka shënuar “një lloj progresi” në përpjekjen e saj për t'i luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Nesër pritet të publikohet “Raporti i Progresit”, ngjarje për të cilën do të raportojë Nacionale.


