Pse të gjithë po merren me statusin e këshilltares së Kurtit? - NACIONALE

Pse të gjithë po merren me statusin e këshilltares së Kurtit?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës së djeshme, këshilltarja e Kryeministrit Albin Kurti, Fëllanza Podrimja, e bëri një postim në profilin e saj në Twitter në të cilin u duk se po e ‘qortonte’ zyrtaren e lartë të administratës amerikane, zonjën Victoria Nuland.

Pas këtij statusi, në Twitter e Facebook, shpërthyen reagimet ndaj fjalorit ironizues të zyrtares së lartë shtetërore, duke e konsideruar të pamatur një veprim të tillë.

Çka, pse, qysh?

Ndihmës-sekretarja e Shtetit, Victoria Nuland, kishte bërë një postim në Twitter në të cilin tregonte për telefonatën që i kishte bërë presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për ta falenduar për mbështetjen që Serbia i kishte dhënë Ukrainës.

Po ashtu, Nuland thoshte se “mirëpriste marrëdhëniet e mira të Serbisë me fqinjtë e saj dhe progresin e vazhdueshëm të saj në rrugën e saj evropiane”.

Një qëndrim i tillë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) shpërfill krejtësisht Kosovën si fqinj të Serbisë, duke qenë se vendi ynë nuk ka marrëdhënie të mira fqinjësore me të. Madje, ka një platformë dialogu që zhvillohet tash e më shumë se dhjetë vjet, dhe e cila i dedikohet pikërisht (sic) normalizimit të marrëdhënieve mes nesh.

Pra, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë jo që nuk janë miqësore, por nuk janë madje as normale.

Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është përkrahur në vazhdimësi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fjalët e Nuland kanë irrituar Fëllanza Podrimën, këshilltaren e kryeministrit Kurti.

Podrimja në statusin e saj të shkruar në anglisht, tallej me deklaratat e zonjës Nuland.

“Jo, kjo s’është e vërtetë... Serbia jo që ka marrëdhënie të mira por ka marrëdhënie të SHKËLQYERA me fqinjtë e saj. Veçanërisht kur dërgon tanket në kufi (me Kosovën) dhe fluturon mig29-sha në afërsi...” – shkroi ajo.

Albin Kurti Fellanza podrimja

Një gjë e tillë, nuk u pa me të mirë nga analistët vendorë që gjuhën e përdorur e cilësuan si problematike.

Për të ndjekur debatin publik në rrjete sociale LIVE klikoni KËTU.

Më pas, Podrimja u bë pishman dhe e fshiu postimin e saj në Twitter. Madje, kjo gjuhë u konsiderua e njëjtë me atë që përdornin aktivistët dhe zyrtarët e Vetëvendosjes ndaj ish ambasadorit Richard Grenell.

Por, fatkeqësisht, duket se problemi me në këtë mes kësaj here është më i thellë se që duket. Fakti është që Kosova është shpërfillur nga SHBA-të përmes atij postimi. Në anën tjetër, fakt është se kryeministrit të Kosovës – nuk ka rëndësi cilën parti udhëheq dhe çfarë qëndrimesh ka pasur, për momentin – i ka dështuar secili premtim për vizitë në SHBA (nëntor 2021, fillimvit 2022).

Kujtojmë që Kosova ka pasur një qëndrim shumë më të prerë, më të shpejtë e më të hapur në mbështetje të Ukrainës duke denoncuar agresionin rus.

Lajme të ngjashme