Pse Sveçla nuk duhet të fryhet me shkatërrimin e laboratorëve të drogës në veri? - NACIONALE

Pse Sveçla nuk duhet të fryhet me shkatërrimin e laboratorëve të drogës në veri?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës në veri të vendit shkatërroi tre laboratorë të drogës dhe kjo e nxiti ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, që të ngarendte duke u fryrë në mënyrë të çuditshme në Facebook. Por, megjithatë i gjithë gëzimi i tij del të jetë i trishtë nëse marrim parasysh fjalët e një gazetari.

Ministri Sveçla i bëri plot katër postime të ndryshme në Facebook në lidhje me laboratorët e drogës të shkatëruar në veri gjatë ditës së djeshme. Bërë bashkë, ai i mblodhi rreth 7 mijë e 600 pëlqime nga ndjekësit e tij.

Brenda këtyre katër postimeve të Sveçlës, ishin plot tetë fotografi që paraqisnin prej ambienteve të laboratorëve dhe jelekëve anti-plumb e deri te politikanët serbë si Petar Petkoviq.

Por, njësia e anti-drogës në Policinë e Kosovës ka qenë jashtëzakonisht efektive edhe në të kaluarën. Pra, edhe para se Xhelal Sveçla të ishte ministër i Punëve të Brendshme.

Në një paraqitje televizive në verën e vitit të kaluar, gazetari Kreshnik Gashi shprehej në këtë formë për të ilustruar këtë çështje:

“Çka po shohim na, është një luftë kundër drogës e cila në veri nuk ka mungu kurrë. Gjithmonë ka pasë, sasi të mëdhaja të drogës në veri të konfiskume. Statistikisht, ma së shumti drogë është konfisku gjithmonë në veri të Kosovës.” – thoshte z. Gashi në fjalën e tij.

Statistikat, natyrisht ekzistojnë në raportet që përgatit Policia e Kosovës tash e më shumë se një dekadë dhe e vërteta nuk mund të fshihet.

Por, megjithatë ajo mund të dredhohet siç duket se po provon ta bëjë ministri Sveçla me postime të panumërta duke dashur që t’i marrë meritat për operacionet policore.

Në fjalën e tij në atë paraqitje televizive, gazetari Gashi jepte edhe detaje të tjera:

“Është shfrytëzu një linjë e përdorimit të qytetarëve serbë atje për me porositë sa më shumë drogë në Shqipni sepse ata e kanë pasë shumë ma të lehtë me ble atje... me masa të mshefta, shumë rrjete shqiptare kanë shku edhe kanë çu drogë në veri, e cila është arrestu dhe është konfisku. Normalisht, e vetmja njësi e cila ka funksionu në veri mirë...”

Ministri Sveçla në postimet e tij pretendoi edhe se presidenti serb Vuçiq dhe regjimi i tij po mbronin qytetarët serbë që po merreshin me drogë në pjesën veriore të Kosovës. Por, sipas gazetarit Gashi kjo në fakt nuk është e vërtetë. Lufta e Kosovës kundër drogës në veri, i konvenon edhe vet Qeverisë së Serbië.

“Qeveria e Serbisë nuk don shoqni të smutë prej drogës në veri. Don me pasë njerëz të cilët nuk e kanë të lehtë me marrë drogën. Për këtë arsye ka leju që funksionimi i anti-drogës me qenë perfekt, po e qujë. Njësia e anti-drogës në veri funksionon shumë mirë. Kryen operacione, arreston këndo që merret me shitje të drogës anej. Për shkak se ata dojnë shoqni të shnoshë. Kjo është edhe arsyeja pse janë përdor njerëzit serbfolës, që me i thirrë rrjetet shqiptare me porositë marihuanë. Në momentin kur ka ardhë droga, është konfisku. Ngjashëm edhe me laboratorë.” – shprehej ai.

Kujtojmë se njëri prej të arrestuarve ishte edhe z. Millan Deleviq që ishte arrestuar edhe më parë. Përmes postimeve në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook vërehej se ai ishte simpatizues i kriminelit Millan Radojiçiq.

Krenaria e ministrit Sveçla dhe aktivistëve tjerë të Vetëvendosjes për këto operacione të Policisë së Kosovës në mënyrë të tërthortë minon punën e bërë përgjatë një dekade nga njësi anti-drogë e Policisë së Kosovës.

Lajme të ngjashme