Pse ShBA-ja po e këshillon Ukrainën që të mos nisë ofensivë tash për tash? - NACIONALE

Pse ShBA-ja po e këshillon Ukrainën që të mos nisë ofensivë tash për tash?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa zyrtarë të lartë amerikanë po e këshillojnë Ukrainën që të përmbahet nga fillimi i një ofensive të madhe kundër forcave ruse derisa të furnizohet me armatimin amerikan dhe t’u ofrohet trajnimi ushtarëve, tha të premten një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Biden.

Duke folur në kushte anonimiteti para pak gazetarëve, ky zyrtar tha se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë ende prapa vendimit për të mos i dhënë Ukrainës tanke të tipit “Abrams” tash për tash, kur ka mosmarrëveshje me Gjermaninë për këto automjete të rënda luftarake.

Presidenti Biden, i cili këtë javë miratoi një pako të re të armëve për Ukrainën me vlerë të 2,5 miliardë dollarë, tha: “Ukraina do ta marrë tërë ndihmën që i nevojitet”, kur u pyet nëse e përkrah synimin e Polonisë që t’i dërgojë Ukrainës tanke të prodhimit gjerman, “Leopard”.

Bisedimet e ShBA-së me Ukrainën për ndonjë kundërsulm të mundshëm kanë qenë në kontekstin që ukrainasit të sigurojnë kohë të mjaftueshme fillimisht për trajnime për armët e fundit të ofruara nga Shtetet e Bashkuara, tha zyrtari amerikan.

Zyrtarët amerikanë besojnë se ofensiva do të jetë më e suksesshme, nëse ukrainasit i shfrytëzojnë përparësitë e trajnimeve dhe fuqizimin e konsiderueshëm me armatimin e ri.

Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten se do të dërgojnë qindra automjete të blinduara në Ukrainë për t’u përdorur në luftë.

Një delegacion i lartë i ShBA-së, që i përfshiu nënsekretaren e Shtetit, Wendy Sherman, dhe nënkëshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, Jon Finer, shkoi në Kiev para disa ditëve për bisedime me zyrtarë ukrainas.

Zyrtari që foli në kushte anonimiteti, tha se në Uashington ekziston përshtypja se Ukraina ka shpenzuar burime të konsiderueshme duke e mbrojtur qytetin Bakhmut, por se ka shumë mundësi që rusët në fund t’i dëbojnë ukrainasit nga ai vendbanim.

Lajme të ngjashme