“Pse? Kush po të orienton kështu?”: Gërvalla “ridëmton” AKI-në pasi e implikoi në lajmin e rremë të RTK-së
Dha lajm të rremë në uebsajt dhe lajme qendrore të mbrëmjes në RTK se gjoja dy media në Kosovë – Nacionale dhe Periskopi – janë blerë dhe janë nën kontroll të Serbisë duke e dhënë si të mirëqenë një raportim të një media rekordthyese për ‘fake news’ si Slobodna Bosna – e konfirmuar si platformë lajmesh nën “listën e mediave me rrezikshmëri të lartë” nga kontrollues ndërkombëtar të çertifikuar faktesh në Bosnje-Hercegovinë.
Bordit të RTK-së – atyre që e thirrën menjëherë në llogaridhënie – provoi t’ua hedh se lajmin e ka marrë nga Agjencioni Kosovar për Inteligjencë (AKI): pohim ky i regjistruar në procesverbalin e asaj mbledhjeje nga ku nisi avalanshi i distancimeve dhe dorëheqjeve.
Menjëherë ishte lajmëruar Petrit Ajeti, Shefi i AKI-së, përmes një përgjigje zyrtare me shkrim te Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të AKI-së, Ganimete Musliu, duke mohuar përfshirjen e këtij institucioni në këtë lajm të rremë.
Por, gazetari Vehbi Kajtazi kishte nxjerrë edhe emrin e një zyrtari kontraverz të AKI-së për të cilin dyshohet të ishte i përfshirë me Rilind Gërvallën në plasimin e lajmit të rremë – e që besohet të jetë edhe i porositur nga brenda vendit.
Krejt kjo bëri që përbrenda AKI-së të besohet të jetë një strukturë e posaçme jo-formale që i përgjigjet Lëvizjes Vetëvendosje, përkatësisht Dejona Mihalit (e faktuar për ushtrim kontrolli parapolitik në institucionet dhe ndërmarrjet publike) dhe Sali Zybës.
Prej implikimit që Rilind Gërvalla i bëri AKI-së, ky institucion – përkatësisht një formacion brenda saj – e ka gjetur veten të perceptuar nga publiku si në kontroll politik.
Këto perceptime veçse u përforcuan edhe më shumë kur në një thirrje për raportim të Shefit të AKI-së, Petrit Ajeti, ky i fundit u kërcënua se “do të jep përgjegjësi” nga deputeti i Vetëvendosjes, Sali Zyba, brenda komsionit parlamentar.
Pas tre muajsh, Rilind Gërvalla u lajmërua me një shkrim se “off the record” – (Aha!) mbledhja po mbahej me procesverbal – se e ka “përmendur rrëshqimthi përkitjet institucionale me AKI-në...” në arsyetimin për lajmin e rremë të RTK-së para Bordit të RTK-së.
Ish-Kryeinspktori i AKI-së, Burim Ramadani, ka reaguar ndaj Gërvallës në krejt këtë situatë duke i bërë pyetje themelore: “Pse po e dëmton dhe ri-dëmton AKI-në dhe sigurinë kombëtare?”.
“Pse duhet të rikthehet AKI pjesë e debatit publik nga Gërvalla, i cili ishte saktësisht personi që e përfshiu AKI-në në diskursin rreth skandalit të RTK-së ndaj dy mediave online? Pse ky person tash e konfirmon edhe publikisht që ka folur “off the record” diçka palidhje dhe pa sens? Kështu ai kishte ndikuar direkt që opinioni të adresojë kritika ndaj AKI-së”.
“Pra, Rilind Gërvalla e ka dëmtuar AKI-në dhe Sigurinë Kombëtare. Tash i paska kërkuar ndjesë, por si nuk po jep dorëheqje more djalë? Në fakt, duke rikthyer temën sërish (tash përmes një forme edhe më bizare), Drejtori i Televizionit në RTK po e ri-dëmton AKI-në dhe Sigurinë Kombëtare. Pse more, pse? Çfarë qëllime ka? Kush po e orienton kështu?”, shkroi Ramadani.
Një aspekti tjetër të shkrimit të Rilind Gërvallës i ka reaguar edhe gazetari Parim Olluri, pasi drejtori me librezë partie të Vetëvendosjes në RTK kërkoi që gazetarët “me doemos” t’i besojnë AKI-së.
Kështu kërkohet në Serbi, tha Olluri, “që medoemos t’i besohet BIA-s” dhe se gazetarët nuk duhet të kenë frikë së kritikuari agjencionin e inteligjencës.
”Narracioni se gazetaret e kane obligim qe ta mbrojne sherbimin sekret shteteror i perket vendeve diktatoriale e autokratike. Jo shteteve demokratike. Gazetaret profesioniste e kane obligim qe te kritikojne shefat e AKI’se. Pa nderprere. Shefat e AKI’se nuk kane engjej te paprekshem nga kritika publike”, ka shkruar Olluri.
“Shefat e AKI’se jane kritikuar nga gazetaret prej themelimit te ketij institucioni. Edhe para se VV te vinte ne pushtet. Do te kritikohen edhe gjate pushtetit te VV’se, por edhe pasi kjo parti te largohet nga pushteti. Gazetaret e Kosoves nuk duhet te keni frike prej shefave te AKI’se, ngjashem siç frikesohen gazetaret ne Serbi prej UDB’se. VV’ja nuk duhet lejuar qe ta importoje ne Kosove modelin frikesues te Serbise”, tha mes tjerash ai.