Pse kosovarët e lindur para 1982-s po i 'shpallin' luftë Serbisë?
Një numër i madh kosovarësh mbi-katërdhjetë-e-dy-vjeçarë duket se u bënë pishman që nuk ishin bashkuar me UÇK-në më 1998 ose 1999 pasi panë në televizor pamje të luftës në Ukrainë këto ditë. Lufta jonë e para dy dekadave mund t’i ketë zënë të papërgatitur – nuk e dinin rrugën, nuk i kishin dy palë çizme, nuk kishin kapuç adekuat që s’dihej as ku mund ta blije ose nuk kishin dorëza të bukura – por ndoshta kishin edhe ndonjë punë tjetër. Fundja, lufta nuk zgjati më shumë se një vit e gjysmë dhe shumë prej tyre (le të paragjykojmë pozitivisht) me gjasë e kishin nijet ta shijonin edhe verën e ’99-s në bregdet e pastaj kah vjeshta të kapnin armët në luftë ndaj Serbisë. Kushedi! Sidoqoftë, mbi-katërdhjetë-e-dy-vjeçarët po japin kushtrimin sot!
I pari që më bëri përshtypje, dhe atë përshtypje të fortë, ishte avokati Arianit Koci. Ai gjatë ditës së djeshme u shpreh i bindur se Kosova do t’i bënte ballë me motiv të lartë Serbisë në rast se kjo e fundit do të bënte turr.
“Kemi motiv të madh me e mbrojtë vendin tonë.” – shkruante dje avokat Koci Koci.
Pardje, Fadil Maloku – profesor i sociologjisë në Universitet të Prishtinës – shprehej krejt seriozisht që në rast se na sulmonte Serbia, ne jo vetëm që do ta mposhtnim por edhe do ta kundërsulmonim për t’i marrë një pjesë të madhe të territorit aktual (deri te Molla e Kuqe).
Fadil Maloku ishte 41 vjeçar në vitin 1999. Koci të paktën 35. Por, këta janë thjesht dy prej shumë e shumë njerëzve mbi-tetëmbëdhjetë-vjeçarë në kohën e luftës që shpërfaqën në Facebook trimërinë e tyre.
Edhe kryeministri Albin Kurti - po ashtu në moshë madhore në kohën e luftës - është shquar për retorikën e luftës. Ai e kishte përmendur luftën si mundësi dhjetra herë prej 2015-s e këndej. Vitin e kaluar, ndërkohë, e ftonte Vuçiqin që të nënshkruante zotim të përbashkët që Serbia dhe Kosova të mos sulmonin ushtarakisht njëra-tjetrën.
I kontestuar për praninë e tij në UÇK, Albini në një seancë Kuvendi kishte thënë: “Vetne Rrustemin dhe Sylejmanin (se a isha pjesë e UÇK-së)”. Në fakt, ai kurrë s’e kishte kapë armën në dorë dhe kurrë nuk kishte qenë pjesë e UÇK-së. Kurti ishte pjesë e zyrës së Demaçit, zyrë krejt e parëndësishme që s’pyetej bash për asgjë edhe pse Demaçi ishte figurë me mbrojtje ndërkombëtare që fitoi çmimin Sakharov më 1991. Kur fliste për Rrustemin e Sylejmanin ai fliste për Rrustem Mustafën dhe Sylejman Selimin. Rrustem Mustafa kishte thënë se edhe Kurti “ishte veteran” njësoj si Sylejmani. Këto fjalë ishte brenda asaj logjike korruptuese që çoi drejt manipulimit me numrin e veteranëve.
Por, i pari që nisi këtë manipulim ishte ish drejtori politik i UÇK-së, Hashim Thaçi (tridhjetë-vjeçar në kohën e luftës). Në një intervistë të para dhjetë vitesh, ai kishte thënë se “i gjithë populli kishte qenë në UÇK!” ndoshta pasi e rrokte kompleksin e mbi-katërdhjetë-e-dy-vjeçarëve për luftën e ‘humbur’. Por, kjo ishte rrenë. Tamam rrenë! Jo më shumë se njëzet mijë vetë kishin luftuar, ose veç një përqindëshi i popullsisë.
E çka të bëjmë tash?
Kosova, fatmirësisht, ndodhet në një rrethanë krejtësisht tjetër politike. Lufta nuk duket asgjëkundi si mundësi, me trupat e KFOR-it në Kosovë dhe me një Serbi të orientuar kah Bashkimi Evropian. Lufta duhet dëbuar si fjalë në të kaluarën në mënyrë që të mos krijojmë një shtrat tjetër për fjalët helmuese e shterpe nacionaliste. Nuk duhet dhe nuk mund të lejojmë që komplekset e një gjenerate që mungoi në luftë të na barten në të ardhmen.
‘Lufta’ jonë, luftë në thonjëza, është ajo për forcimin e multietnicitetit të shtetit dhe çeljen e një perspektive të re, ose që ta themi më konkretisht: lufta për integrimin e komunitetit serb në institucionet dhe shoqërinë kosovare; lufta kundër Vuçiqit për të marrë besimin dhe bashkëpunimin e tyre (e në të cilën po dështojmë si mjeranë); lufta për t’i rezistuar turmës nëse qepon në rast të një plani serioz investimesh në vendbanimet serbe dhe komunitete tjera; lufta për t’i bërë të kuptimshme fjalët pajtuese. Nuk mund t’i lejojmë pushtetin e fjalës gjithë jetën eksploatuesve të vuajtjeve të luftës.
Në një hulumtim të fundit të bërë nga Kenneth Andersen dhe Abit Hoxha, dilte se bash ata që s’e kishin përjetuar fare luftën e Kosovës ishin më të sertët në retorikën e tyre të luftës. Ndërsa, ata që kishin vuajtur a luftuar donin pajtim. A meritojnë tjetërçka të parët përveç një të share të rëndë për krejt ato vjet të humbura që shkuan e krejt këto vjet të humbura që po vijnë për shkak të eksploatimit që u bëjnë vuajtjeve të të tjerëve?
Lufta jonë është luftë për të ardhmen. Mund të mos jetë aq ‘mburrëruese’, mund të mos merrni aq shumë lëvdata, por është gjithqysh lufta e drejtë! Dhe edhe në këtë luftë, po mungojnë të gjithë!