PSD akuzon Qeverinë Kurti për keqpërdorimin e 34 milionë eurove: Të japin përgjegjësi penale
Nol Nushi, sekretar organizativ i Partisë Socialdemokrate, ka publikuar në video, me anë të së cilës ai ka theksuar se ministri Hekuran Murati e kursen buxhetin me veteranët, por njëkohësisht është dorëlëshuar me kompanitë e mëdha. Sipas tij, Qeveria Kurti nuk po e lufton gjakderdhjen financiare.
Në videon e gjatë 4 minuta, Nushi ka folur rreth kontratës për zgjatjen e pistës së aeroportit, duke thënë se praktikisht Qeveria e Kosovës po ia falë 34 milionë euro kompanisë Limak, e cila sot udhëheq me aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”.
“Disa vite më parë, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që në emër të disa investimeve, praktikisht t’ia falte 34 milionë euro kompanisë Limak që është pronare e aeroportit”, thotë Nushi.
Duke komentuar këtë kontratë, Nushi ka sjellë në vëmendjen e publikut një deklarim të mëparshëm të ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili ishte ndër kundërshtarët më të mëdhenj të kontratës së ekzekutivit kosovar me kompaninë turke.
“E kemi skandalin e aeroportit, ku kompanisë Limak i falen 34 milionë euro, për një punë që është dashtë ata vetë me kry”, theksonte ministri Murati.
Sipas Nushit, ai dikur pajtohej me kritikën e Muratit, i cili atëbotë si analist kishte përgatitur një raport për kontratën, për të cilën theksonte se është e domosdoshme të ndërpritet.
Për të treguar ndryshimin e qëndrimeve, Nushi ka përfshirë në video edhe një deklaratë të ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili e falënderon kompaninë Limak për zgjatjen e pistës, që dikur VV e kundërshtonte si kontratë të dëmshme.
“Kemi kënaqësi që në këtë konferencë të flasim për projektin e zgjatjes së pistës në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës. Po ashtu, i jemi falënderues kompanisë Limak, e cila mundësoi që ky projekt të realizohet”, theksonte minsitri Aliu.
E kjo sipas Nushit është falënderim për diçka që kompania Limak është dashur ta kryejë vetë.
“Ministri Aliu po i falënderohet kompanisë Limak që na ka leju me ia falë 34 milionë euro”, thekson në video Nushi.
Tutje, Nushi ka pyetur se ku mbeti ideja e luftimit të kontratave të dëmshme të nënshkruara nga qeveritë e kaluara.
“Ku mbet ai trumbetimi i anulimit të kontratave të dëmshme. Ku mbeti stopimi i gjakderdhjes financiare?”, ka pyetur Nushi i PSD-së.
Ndryshe, në muajin qershor, gazeta Nacionale ka publikuar një përgjim, i cili implikon Ministrinë e udhëhequr nga Liburn Aliu.
Në episodin e tretë të “Ditarit të Buzhalës”, u publikuan përgjimet autentike që dëshmuan se si një kompani projektuese e lidhur me pushtetin e Vetëvendosjes, u zu “me pelë për dore” duke kërkuar ryshfet.
Është fjala për kompaninë e quajtur “Infratek”, në të cilën kishte punuar këshilltari i Liburn Aliut. Dhe, madje jo veç që kishte punuar, por edhe kishte lidhje familjare me pronarët. Ata ishin dajtë e tij.
Emri i këtij këshilltari është Florent Ramqaj. Emri i ministrit është Liburn Aliu. Emri i dajës është Halil Jahaj. Mbiemri i ministrisë është “e Infrastrukturës”. Shuma e ryshfetit? Eh, këtu ju lusim që të mbani frymën: bëhet fjalë për 30 mijë euro. Pra, bëhet fjalë për 20 mijë euro që jepen një herë, e 10 mijë të tjera më vonë.
Kujtojmë që së fundmi ministri Murati ishte në qendër të kritikave, pasi që iu publikuan disa postime përçmuese ndaj veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilat pas presionit publik, ai kërkoi falje.
Dorëheqjn e tij e kishte kërkuar PSD, por Murati u mjaftua vetëm me kërkim falje.
