Protestuesit e rrethojnë floktarinë ku ndodhej gruaja e kryeministrit Netanyahu në Izrael
Gruaja e kryeministrit Benjamin Netanyahu të Izraelit, Sara Netanyahu, mbeti për disa orë e ngujuar në një floktari të mërkurën në Tel Aviv, pasi qindra protestues anti-qeveritarë u grumbulluan para lokalit ku ndodhej ajo.
Protestuesit kundër planeve qeveritare për ndryshime në sistemin e drejtësisë marshuan në Tel Aviv dhe në qytete të tjera gjatë ditës së mërkurë si dhe i vazhduan protestat edhe natën në disa vende, përfshirë Tel Avinin dhe Jerusalemin, raporton mediumi izraelit, “The Times of Israel”.
Në Tel Aviv, ku pati përleshje të rralla mes protestuesve dhe policisë gjatë ditës, protestuesit shkuan në Kikar HaMedina Plaza, pasi morën vesh se gruaja e kryeministrit, Sara, ndodhej në një floktari.
מטורף עכשיו מרגע לרגע ההפגנה מול שרה נתניהו שנתפסה במספרה בכיכר המדינה ספונטנית !!!! pic.twitter.com/851npfdst2
— לירי בורק שביט (@lirishavit) March 1, 2023
Policët shkuan shpejt atje për t’i ndalur protestuesit, ndërsa gruaja e kryeministrit u detyrua që të qëndronte brenda lokalit. Më vonë, forca të shumta të policisë shkuan në vendin e ngjarjes dhe e nxorën gruan e kryeministrit Netanyahu.
Protestuesit u dëgjuan duke brohoritur “Vendi po digjet e Sara po i pret flokët” si dhe “Flokët tua përfundofshin të djegura”, referencë për një parullë të së djathtës ekstreme kundër arabëve, “Ju djegtë fshati!”
Të mërkurën u mbajtën disa prej protestave më të mëdha e më të ashpra kundër planeve të qeverisë për sistemin e drejtësisë. Policia përdori bomba shoku e ujë për t’i shpërndarë protestuesit.
