Policia izraelite përleshet me protestuesit kundër Netanyahut - NACIONALE

Policia izraelite përleshet me protestuesit kundër Netanyahut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Protestat e vazhdueshme disajavore anti-qeveritare në Izrael u shndërruan për herë të parë në të dhunshme të mërkurën, pasi policia përdori bomba shoku e ujë kundër protestuesve që bllokuan një autostradë në Tel Aviv.

Shtypja ndaj protestuesve u bë pak kohë pas një deklarate të ministrit të Sigurisë Kombëtare, i cili bëri thirrje për kundërpërgjigje të ashpër ndaj atyre që i quajti “anarkistë”, raporton agjencia “Associated Press”.

Dhuna ndodhi, pasi mijëra njerëz në pjesë të ndryshme të vendit e organizuan “ditën kombëtare të pengimit” kundër planit qeveritar për ndryshime të konsiderueshme në sistemin e drejtësisë.

Aleatët e kryeministrit Benjamin Netanyahu thonë se me këtë program synohet që të pakësohet ndikimi i gjykatësve jo të zgjedhur. Megjithatë, kritikët, përfshirë shefa biznesesh me ndikim e ish-figura ushtarake, thonë se Netanyahu është duke e shtyrë vendin drejt pushtetit autoritar dhe ka një konflikt të qartë interesi në shënjestrimin e gjykatësve, sepse është në gjykim për akuza për korrupsion.

Që nga ardhja e qeverisë së re në pushtet para dy muajve, dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë rrugëve për t’i kundërshtuar ndryshimet në sistemin e drejtësisë. Megjithatë, policia e përdori forcën kundër turmave për herë të parë të mërkurën.

Ndryshimet në sistemin e drejtësisë kanë nxitur kundërshtime të pashembullta me protesta që kanë zgjatur me javë, kritika nga ekspertë ligjorë e demonstrata të rralla nga rezervistët e ushtrisë, të cilët janë zotuar se nuk do t’i zbatojnë urdhrat nën atë që ata e quajnë diktaturë, nëse miratohen ndryshimet. Disa udhëheqës biznesesh, sektori i teknologjisë dhe ekonomistë të njohur kanë paralajmëruar për trazira ekonomike, nëse miratohet plani qeveritar për ndryshime në sektorin e drejtësisë. Edhe aleatët ndërkombëtarë të Izraelit kanë shprehur shqetësim.

Në skenat e para të trazirave që nga fillimi i protestave para dy muajve, policët u shfaqën të hipur mbi kuaj në qendër të Tel Avivit, duke hedhur bomba shoku e duke përdorur ujë kundër mijëra protestueseve, të cilët brohorisnin “demokraci” dhe “shtet policor”.

Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ultranacionalist i akuzuar për politizimin e policisë, është zotuar se do të mbajë qëndrim të ashpër. Ai i ka bërë thirrje policisë që ta parandalojë bllokimin e rrugëve, duke i quajtur protestuesit “anarkistë”.

Lajme të ngjashme