Protestuan kundër fabrikës së çimentos, qytetarët e akuzojnë komunën e Klinës për “hile” e “jodemokraci”
Dy ditë më parë, më saktë më 25 korrik, disa qytetarë protestuan në Klinë kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos në fshatin Dollc të Klinës.
Në një reagim të Këshillit Organizativ të protestës kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos në Klinë, ka lëshuar një komunikatë për medie, ku ka reaguar në lidhje me këtë temë. Në këtë komunikatë theksohet se sot është patriotike të mbrohet ambienti.
“Nëse dje ishte patriotizëm të luftohet për çlirimin e vendit tonë, sot me të drejtë themi se patriotizëm është ta ruajmë vendin tonë nga ndotja dhe ta ruajmë shëndetin e prindërve dhe fëmijëve tonë.” – theksohet aty.

Në komunikatën e tyre, ata kanë akuzuar autoritetet komunale të Klinës për pengesë të protestës. Madje, ata kanë akuzuar kryetarine e Klinës, Zenun Elezaj, për “mësitni” për ndërtimin e fabrikës së çimentos.
“Drejtuesit e komunës se Klinës përveç dëmeve të larta e mundimeve të mëdha që ia shkaktuan banorëve të saj, tentuan ta pengojnë edhe protestën paqësore për të kundërshtuar armikun më të madh të pasluftës, atë të shkatërrimit të ambientit pra fabrikën e çimentos. Protesta u drejtua nga një skenë të improvizuar në një kamionete, skenë kjo e cila u realizua në momentet e fundit ngase skena e cila ishte planifikuar të vendosej nuk u lejua nga organet komunale të kësaj qeverisje jodemokratike. Kryetari z. Elezaj, kishte premtuar se deri sa të ketë banorë kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos nuk do të lejoj që kjo fabrikë të ndërtohet, lëre që nuk dëgjoj kundërshtimet e banorëve por për me keq ai u bë mesiti që kjo fabrikë të ndërtohej në komunën tonë. Dhe sot qytetari i Klinës e ka kuptuar këtë hile që iu është bërë andaj sot jemi këtu që ta ngrisim zërin tonë kundër hiles së pushtetit lokal dhe hileve të mëdha të shtetit karshi banorëve Klinas.” – thuhet ndër të tjera në letrën e këtij këshilli.