Protesta e drenicakëve në Skenderaj, VV nis ta krahasojë me protestat e serbëve në veri - NACIONALE

Protesta e drenicakëve në Skenderaj, VV nis ta krahasojë me protestat e serbëve në veri

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë nisur ta krahasojnë protestën e qytetarëve të Skenderajt me ato të serbëve në veri.

Qindra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e së enjtes dhe gjatë ditës së premte për t’i dalë në mbështetje kryetarit të kësaj komune, Sami Lushtaku.

Ndonëse ky i fundit u lirua në procedurë të rregullt, pasi dyshohet se e ka sulmuar fizikisht kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, reagimet kanë vazhduar edhe të shtunën.

Hysni Mehani, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Lushtaku “po i imiton metodat e Radojiçiqit në Drenicë”.

“Nëse parmbrëmë prania e Njësisë Speciale ua kujtonte një të kaluar të errët, çfarë u kujtonte bllokimi i rrugëve dhe i policisë me kamionë, traktorë dhe mjete të tjera? Sami Lushtaku mund t’i imitojë metodat e Radojiçiqit në Drenicë, por Drenica kurrë nuk do të mendojë serbisht. Deri në frymën e fundit”, ka shkruar ai.

Një krahasim të ngjashëm e ka bërë edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Agim Bahtiri.

“Dëgjova se më paska kritikuar djali i Sami Lushtakut për thirrjen që e kam bërë dje për unitet dhe mirëkuptim mes qytetarëve. Dua ta dijë një gjë: siç janë mësuar ata, nuk shkon më. Nuk ka njeri që bën më barrikada për t’i ndalë luanët e veriut”, ka shkruar Bahtiri.

Theksojmë se Lushtaku dyshohet se të enjten e ka sulmuar fizikisht kryetarin e Vetëvendosjes në Skenderaj, Hysni Mehani.

Disa orë pas rastit, rreth mesnatës, Njësia Speciale është parë në rrugët e qytetit të Skenderajt, duke ndaluar vetura në atë zonë.

Një gjë e tillë nxiti reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa edhe qytetarët e Skenderajt dolën në protestë.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka pasur njohuri për dërgimin e Njësive Speciale në Skenderaj.

“Në lokalin në Skenderaj, ku është rrahur dhe përgjakur Hysni Mehani, kandidat për deputet, ka kamera dhe shumë dëshmitarë. Mora vesh se dy persona janë arrestuar. Sipas përshtypjes sime, reagimi i Policisë dhe Prokurorisë ka qenë i vonuar. Nuk e di çfarë ka ndodhur pas mesnatës, por e di që reagimi është dashur të jetë më i shpejtë. Aktivistët e VV-së për statusa në Facebook janë dënuar me nga një vit burg. Tash të shohim se çfarë ndëshkimi do të kërkojë Prokuroria dhe çfarë dënimi do të japë gjyqësori për ata që marrin gotë dhe i përgjakun zëvendësministrat”, ka thënë Kurti.

Lajme të ngjashme