"Propagandë politike", "mos gënje": Rama e Çeku hahen në Facebook për projektin e Palestrës Multisportive - NACIONALE

"Propagandë politike", "mos gënje": Rama e Çeku hahen në Facebook për projektin e Palestrës Multisportive

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përplasjet mes pushtetit qendror dhe atij lokal po vazhdojnë edhe gjatë vitit 2025. Tashmë kur data e zgjedhjeve paralametare po afrohet, zyrtarë të lartë të Qeverisë Kurti nuk po zgjedhin as gjuhën për të kundërshtuar kryetarët e komunave që udhëhiqen nga partitë opozitare. Kësisoj, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka filluar luftën me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama për projektin për ndërtimin e Palestrës Multisportive. Çeku e Rama po kundërshtojnë njëri-tjetrin me shkrime në Facebook.

Ditë më parë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, doli me një reagim ku akuzoi ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku se ka bllokuar projektin për ndërtimin e Palestës Multisportive dhe zonën ekonomike në Prishtinë.

Rama ka thënë se ky projekt po bllokohet nga Vetëvendosjes, pasi sipas tij, komuna ka kryer të gjitha punët.

Ai ka akuzuar ministrin Çeku se po bën propaganë politike, teksa kishte publikuar dokumentet që vërtetojnë se propozimi ishte dërguar në Kuvendin Komunal.

“Përhapja e propagandës dhe mungesa e bashkëpunimit politik po dëmtojnë Prishtinën dhe qytetarët e saj. Faji për vonesat bie mbi bllokimin e qëllimshëm nga Vetëvendosje dhe jo mbi Komunën. Komuna do të vazhdojë të punojë për të realizuar projektet e rëndësishme, pavarësisht bllokimeve politike. Retorika e gabuar dhe veprimet destruktive nuk do të na ndalin! Qytetarët e Prishtinës meritojnë zhvillim, jo propagandë politike. Dokumentet që vërtetojnë përpjekjet tona janë publike dhe të qasshme për të gjithë!” – ka shkruar Rama më 4 janar në Facebook.

Ndërkohë pas dy dite ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i është kundërpëgjigjur kryetarit Rama.

Çeku ka akuzuar Ramën se po gënjen dhe se Komuna e Prishtinës nuk ka ndërmarrë asnjë hap për konkretizimin e këtij projekti.

“Të lutem, Kryetar, mos gënje! Lokacioni i dakorduar nga ju dhe Federata e Basketbollit për realizimin e Palestrës Multisportive gjendet në Hajvali, pranë Qendrës Nacionale të Futbollit dhe nuk ka të bëj fare me lokacionin ku dëshironi ta realizoni projektin e kampusit sportiv në Bernicë, përkatësisht Fshatin Olimpik. Gjatë tërë vitit 2024 Komuna e Prishtinës nuk ndërmori asnjë hap për ta konkretizuar zotimin tuaj dhe plotësuar kërkesën e FBK-së.” – ka shkruar ai në Facebook.

Më tej, Çeku i është përgjigjur edhe për akuzën e Ramës se VV-ja në Prishtinë po e bllokon projektin, duke thënë se grupi i VV-së në Prishtinë do të votojnë për, vetëm se Rama duhet ta dërgojë këtë propozim.

“Me gënjeshtra nuk ecet përpara. Nëse jeni serioz, dërgojeni vendimin në Kuvendin e Komunës për lokacionin që jeni dakorduar me FBK-në duke mundësuar kështu realizimin e plotë të projektit nga MKRS. PS. Nga grupi i VV më thanë që do të votojnë PËR. Dërgoje!” – përfundon shkrimi i Çekut.

Në anë tjetër, kjo nuk është hera e parë që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ankohet se Qeveria Kurti nuk po i ndihmon dhe po i saboton projektet e Komunës.

Ndërkaq, nga Qeveria Kurti mburren se kanë rritur ndarjet buxhetore për komunat.

Kujtojmë se Qeveria Kurti ishte kritikuar për ndarjen e projekteve vetëm për komunat që kanë kryetarët nga radhët e Vetëvendosjes.

Lajme të ngjashme