“Propagandë”: Pas videove, VV-ja e LDK-ja e vazhdojnë luftën e shifrave me grafikë
Muaj më parë, VV-ja e LDK-ja ishin përfshirë në një përplasje politike përmes videove. Ndërsa që disa disa ditë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë përfshirë në një debat virtual përmes shkronjave në lidhje me ekonominë e kontratat njëburimore. Pra këto dy parti kanë zgjedhur një mjet tjetër: grafikën.
Aktualisht VV-ja e LDK-ja po postojnë grafike në vazhdimësi. I pari që nisi këtë metodë në mënyrë më të fokusuar ishte Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, i cili në vazhdimësi ka publikuar grafike, ku lavdërohet qeveria e tij.
Hiç më larg se sot, Kurti e publikoi një grafikë, të cilën e kishte titulluar “Tri vjet mirëqeverisje: për zhvillim ekonomik me progres demokratik”.
“Përkushtimi ynë ndaj ndërmarrësve tanë dhe industrisë ka qenë thelbësor përgjatë gjithë qeverisjes sonë.
I dhamë mbështetje në rritjen e konkurrencës 499 bizneseve me potencial eksporti, përmes skemave të granteve për avancim të teknologjisë, standardizim e certifikim, trajnim dhe digjitalizim, në vlerë totale të granteve prej 15.2 milionë euro. Përmes mbështetjes prej 33 milionë euro për Fondin Kosovar për Grananci Kreditore, janë garantuar mbi 1,000 kredi për afër 1,000 biznese në vlerën prej 67 milionë euro” – ka shkruar Kurti.
Në të njëjtën linjë me Kurtin, që ka postuar mbi 20 të tilla grafika, është edhe Hekuran Murati, ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës. Për dallim nga Kurti, Murati është fokusuar vetëm në çështje ekonomike, përfshirë debatin e nisur nga LDK-ja në lidhje me investimet kapitale.
“Investimet kapitale në 2023 shënojnë rritje prej 33%, niveli më i lartë ndonjëherë
Raporti vjetor tregon se viti 2023 është përmbyllur me rreth 561 milionë euro investime kapitale buxhetore të realizuara.
Kjo shënon një rimëkëmbje të theksuar të investimeve kapitale krahasuar me vitin paraprak, e njëkohësisht edhe shifrën më të lartë të investimeve kapitale të realizuar ndonjëherë.” – shkroi ditë më parë Murati.
Përgjigja e LDK-së
Natyrisht, LDK-ja nuk ka qëndruar duarthatë. Ajo tashmë ka nis një fushatë të titulluar “Faktet para propagandës”, duke synuar të sfidojë pretendimet e Qeverisë Kurti për rritje ekonomike. Sot, LDK-ja e publikoi në grafikë në lidhje me rritjen mesatare ekonomike, duke e cilësuar qëndrimin e Qeverisë Kurti si “propagandë”.
“Pa vitin pandemik dhe atë post pandemik, ekonomia e Kosovës është rritur mesatarisht për vetëm 3.6% në vit. Në 10 vitet paraprake, rritja mesatare vjetore ishte 4.7%.
Mungesa e investimeve kapitale qendrore (vetëm 11% e buxhetit, rekord i ulët historik) e shpërndarja e plot 811 milionë eurove si ndihmë pa efekt, janë arsyet e një rritje kaq të ulët ekonomike.” – shkroi LDK-ja.
Ndërsa në një tjetër grafikë, partia e Lumir Abdixhikut ka folur për rritjen e çmimeve të produkteve bazike, duke dhënë shifrat që, sipas LDK-së, hedhin poshtë pretendimet e Qeverisë Kurti.
“Në 3 vitet e fundit, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës çmimet në Kosovë, janë rritur përplot 25%. Kjo përqindje enorme, bën që të jetë rritja më e madhe e çmimeve në historinë e Kosovës.
…
A e dini se sa janë rritur produktet bazike, gjatë këtyre 3 viteve? - 42%. Do të thotë, çmimet e ushqimeve që na duhen çdo ditë në tryezën tonë siç janë: buka, mielli, vaji, kripa, sheqeri, qumështi e vezët janë rritur përplot 42%, që nga koha e marrjes së mandatit të kësaj Qeverie.” – shkruan LDK-ja.
Në këtë luftë grafikash, më e zëshmja nga LDK-ja është Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së, që njëherit është edhe ekonomiste.