Prokuroria po interviston komisionerët e Malishevës, manipulimi i votave nën hetim në krejt Kosovën - NACIONALE

Prokuroria po interviston komisionerët e Malishevës, manipulimi i votave nën hetim në krejt Kosovën

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Pas Prizrenit, aty ku fillimisht u arrestuan e intervistuan mbi 100 të dyshuar për manipulim me vota, tashmë edhe Prokuroria Themelorë në Gjakovë ka bërë hapin e saj. Ajo po inverviston të dyshuar për manipulim me vota në Komunën e Malishevës.

Lajmin për Nacionalen e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë, Drin Domi.

Ai nuk ka dhënë shumë detaje, duke thënë se aksioni është në fazën e hershme.

“Ka të bëj me aksionin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë mbi falsifikimin e rezultateve zgjedhore gjatë numërimit brenda subjekteve politike, për deputetë në komunën e Malishevës”, ka thënë Domi.

Ai ka treguar se disa persona deri me tani janë intervistuar.

“Personat janë duke u intervistuar, kështu që për më shumë detaje lidhur me këtë aksion do iu mbajmë të informuar pasdite, për shkak se ende është në fazë të hershme”, është shprehur ai.

Tutje, zëdhënësi u shpreh se deri pas dite do të ketë detaje të reja.

Zgjerimi i hetimit

Prokuroria e Kosovës veçse ka autorizuar zgjerimin e hetimeve nëpër komuna anembanë Kosovës.

Kjo për t’u aktivizuar kur rinumërimi të kryhet.

Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, ka deklaruar se të gjitha prokuroritë në Kosovë kanë lëshuar autorizime për grumbullimin e informatave lidhur me persona që dyshohen se kanë manipuluar ose falsifikuar procesin e numërimit të votave.

Sipas saj, secila prokurori është në pritje të rezultateve përfundimtare zgjedhore për të vazhduar me hetime të mëtejshme penale.

Pula theksoi se për veprën penale të falsifikimit parashihet dënim deri në pesë vjet burg, duke qenë se bëhet fjalë për persona zyrtarë të emëruar.

“Hetimet do ta tregojnë se si është bërë ky falsifikim i rezultateve. Asnjë nga ta nuk do të amnistohet dhe secili që e ka shkelur vullnetin e lirë të votuesit do të ballafaqohet me forcën e ligjit”, deklaroi ajo.

Rinumërimi

Në QNR rinumërohen mbi 80% apo 2,061 nga 2,557 vendvotime, 30 komuna përmbyllin procesin

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 28 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar mbi 80% apo 2,061 nga 2,557 vendvotime. Pra, numri i përgjithshëm i komunave që deri më tani kanë përmbyllur rinumërimin janë 30, ndërkaq kanë mbetur për t’u rinumëruar më pak se 500 vendvotime që i takojnë 8 komuave tjera”, ka njoftuar Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary20... në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi.

Lajme të ngjashme