Prokuroria kërkon që t’i vazhdohet paraburgimi Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit
Me anë të dy shkresave, drejtuar trupit gjykues, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar që t’i vazhdohet masa e paraburgimit Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në këto shkresa thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake dhe Gjykata e Apelit kanë konstatuar në mënyrë të përsëritur se paraburgimi i tyre është i arsyetuar në baza të shumta, se asnjë kusht tjetër përveç paraburgimit në objektet e paraburgimit të Dhomës së Specializuar të Kosovës nuk do të ishte i mjaftueshëm për të minimizuar rreziqet, dhe se periudha e paraburgimit – duke marrë parasysh të gjitha rrethanat përkatëse – është e arsyeshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas prokurorisë, që nga përcaktimi më i fundit i këtij Paneli më 17 janar 2023, nuk ka pasur asnjë ndryshim në rrethanat që meritojnë të devijojnë nga ai përcaktim.
Tutje, thuhet se në të vërtetë, transferimi i lëndës në Panel, caktimi i datës së gjykimit dhe zhvillime të tjera të rëndësishme që tregojnë progres të qëndrueshëm dhe do t’i japin atyre qasje të mëtejshme në informacione në lidhje me dëshmitarët e ndjeshëm dhe rastin kundër tyre, mbështesin domosdoshmërinë dhe arsyeshmërinë e paraburgimit.
Kujtojmë se me datë 17 shkurt Gjykata Speciale vendosi që Thaçit e Veselit t’u vazhdohet paraburgimi.