Fjala përmbyllëse: Çka u tha sot në seancën ndaj Gucatit dhe Haradinajt?
Në seancën e sotme ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, Prokurori ka hedhur disa pretendime kundër këtyre të fundit.
Prokurori tha se është penguar puna e ZPS-së, mandati i së cilës është të sigurojë bashkëpunimin e dëshmitarëve. Të akuzuarit kanë kompromentuar dhe cenuar thelbësisht një gjë të tillë, sipas tij.
Ai u pyet nga gjykatësi lidhur me akuzat, sipas së cilave, të akuzuarit kanë qenë të vetëdijshëm që po pengonin punën e ZPS-së, ku gjykatësi e pyeti atë drejtpërdrejt se a ka qenë qëllimi i të akuzuarve kërcënimi i dëshmitarëve?
"Ne besojmë se ka prova për synim të drejtpërdrejtë dhe synim eventual. Vetë të akuzuarit e pranojnë motivin e veprimeve të tyre. Ne e kemi vërtetuar synimin e tyre, niveli i të cilit është i rëndësishëm për arsye të dënimit. Synimi është kaq i rënduar sa duhet të ketë peshë të madhe në dënimin e tyre.", deklaroi Prokurori.
Tutje, Prokurori shtoi se ka prova nga z. Jukic dhe znj. Pamper lidhur me dëshmitarët, të cilët (Jukic dhe Pamper) thanë se dëshmitarët nuk donin të bashkëpunonin me ZPS-në, pas nxjerrjes së informacionit nga pakot.
Cilët janë gazetarët, që janë nxitur nga të akuzuarit dhe nuk kanë kryer e as janë orvatur të kryejnë një prej krimeve të parashikuara në nenin 32.2 të Kodit Penal të Kosovës? Ishte pyetja tjetër e gjykatësit.
Prokurori, megjithatë, nuk përmendi ndonjë emër specifik dhe dha një përgjigje të përgjithshme, duke thënë se "janë të gjithë ata që i kanë pasur paketat e informacionit në konferencat për shtyp.".
Prokurori ka hedhur pretendime, gjithashtu, se dëshmitarët në rastin e dy personave të apostrofuar janë kërcënuar.
Ai i pyet nga gjykatësi Smith se a ka prova për kërcënim dhe a është ai serioz.
Prokurori i rastit tha se ka pasur kërcënim të drejtpërdrejtë dhe për këtë ka prova. Kërcënimi, sipas tij, është shumë serioz dhe të dhënat e konfirmojnë këtë.
Edhe kjo seancë është transmetuar drejtpërdrejt. Kjo ka qenë seancë për fjalët përfundimtare dhe nesër do të vazhdojë mbrojtja me dhënien e fjalës përfundimtare.