Prokurori i Shtetit inicion procedurën disiplinore ndaj prokurorit të rastit të Sebahate Morinës
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka iniciuar procedur disiplinore ndaj prokurorit të rastit të Sebahate Morinës.
‘’Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin e gjerë publik se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me rastin e të ndjerës Sebahate Morina, autoriteti kompetent në kuadër të institucionit të Prokurorit të Shtetit ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurorit të këtij rasti. Për epilogun e kësaj procedure opinioni publik do të njoftohet me kohë.”- thuhet në komunikatë.
Kujtojmë se sot, QIKA, ka mbajtur një aksion protestues këtë të mërkurë para objektit të Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me “neglizhimin e rastit të Sebahate Morinës”.
QIKA, kërkuan dorëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore, Kujtim Munishi dhe vartësve të tij, për mostrajtimin e duhur të këtij rasti.
“Sebahatja u vra sepse Policia e Kosovës në Graçanicë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë dështuan përmbushjen e detyrimeve për mbrojtjen e jetës së saj. Ne kërkojmë përgjegjësi.”-than nga QIKA
Ndërsa një ditë më parë, Rrjeti i Grave të Kosovës, përmes një aksioni simbolik ka kërkuar drejtësi për Sebahate Morinën dhe ka kërkuar që të shkarkohen përgjegjësit e rastit.
“Sebahate Morinës iu mohua e drejta për jetë. Kërkojmë shkarkimin e përgjegjësve! Me 22 mars 2023, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi se Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit ia kanë shkelë Sebahate Morinës të drejtën në jetë. Ende nuk ka asnjë dorëheqje a shkarkim të personave përgjegjës. Nesër mblidhemi për aksion protestues para Këshillit Prokurorial të Kosovës (afër New Born) në orën 11:00. Ju ftojmë të gjithëve të na bashkoheni’’- kanë deklaruar nga RrGK-ja.
Sebahate Morina, më 14 mars 2022 ishte rrugës për në vendin e sajë të punës por pak metra pa mbërritur, u vra nga ish-bashkëshorti i cili, sipas raporteve zyrtare, e kishte rrahur e keqtrajtuar më parë.
Në vitin 2020 ai ishte dënuar për dhunë në familje nga Gjykata Themelore në Gjilan.