"Problemi i veriut nuk zgjidhet me polici, veç me marrëveshje" - NACIONALE

"Problemi i veriut nuk zgjidhet me polici, veç me marrëveshje"

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Javën që lamë pas u publikua edhe episodi i 40 i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.

Situata në veri ishte tema kyçe, por duke mos lënë anash as ato dytësore, siç ishte kampionati botëror në Katar, që dje mbylli perden, dhe "Expose-ja" njëvjeçare e punës së presidentes, për të cilën autori Buzhala pati kritika të shumta.

Gjithsesi, kësaj radhe do të ndalemi diku tjetër. Pikërisht te veriu, aty ku barrikadat edhe më tutje janë kryefjalë e zhvillimeve, hiç këtu një protestë të serbëve të mbajtur dje në Jarinjë, ku pati edhe përplasje mes protestuesve e policëve serbë, por me të njëjtën që përfundoi shpejt.

Ideatori i Ditarit, mendon se problemi në atë pjesë të Republikës së Kosovës nuk zgjidhet me forcë. Siç e thotë ai, veç bashkëpunimi me autoritetet amerikane mund ta bëjë realitet një gjë të tillë.

Përveç kësaj, ai hodhi kritika edhe ndaj disa prej analistëve që po kërkojnë dërgimin e FSK-së atje, duke shtruar me të drejtë pyetjen: me çka?

Gazetari, anash respektit për Ushtrinë e Republikës, shtoi se nuk ka kapacitete luftuese, përveç që tingëllon bukur në këngët e Ilir Shaqirit e Shkurte Fejzës.

"Problemi i veriut, tashmë jemi duke e pa, nuk zgjidhet me forcë. Nuk kemi kapacitet me zgjidh me polici. Ani me FSK kur po thonë. Dmth, janë 3-4 analista, si të ndodh diçka veç thonë: Niseni FSK-në në veri. Çka me nis në veri? Me çka me nis FSK-në?

Më së pari, duhet m’i marrë me diçka m’i nisë. Respekt për ushtrinë, po ushtria jonë nuk ka kapacitete luftuese, përveç që tingëllon bukur në këngët e Ilir Shaqirit ose të Shkurte Fejzës. Çu po nisemi në veri. M’i marrë me kerre civile m’i çu atje".

Në pjesën e fundit ndërkaq, ai ripotencoi faktin se përpos bashkëpunimit me ShBA-në, sa i përket kësaj çështjeje, është koordinimi dhe dialogu. Çdo gjë tjetër, trillim.

"Pra, problemi i veriut, për momentin, jo për momentin, por deri në fund, ka mu zgjidh veç me marrëveshje, veç në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me atë që e pamë pak më herët, me Gabriel Escobarin, pra Zëvendës-Ndihmës Sekretarin e Shtetit.

Gjithçka tjetër është propagandë, demagogji, rrena, trillime, improvizime, justifikime, të pabaza, sepse nuk shkon ndryshe".

Në njërën prej pjesëve të editorialit, autori kujtoi edhe zërat e qeveritarëve të tanishëm, atëbotë opozitarëve, rreth asaj se barrikadat në veri mund t'i largojnë sikur të ishin lodra.

"Për momentin është i bllokuar veri i vendit, në barrikada. Tash, para se me ndodh barrikada, kur ka ekzistu ai pushteti tjetër, këta patën premtu që kamionat, dheun e pengesat e tjera i heqin si lodra të fëmijëve. Nuk po munden me i hjekë.

Po ajo çka pamë prej emisarit amerikan, ke një mesazh që ia dha Serbisë, e unë besoj edhe një leksion i mirë edhe për këta këtu, për tanët, për Fitore Pacollin, për Fitore Pacollët, që thonë Amerika është aleat i yni, po sovraniteti sovranitet. Po nëse sovraniteti o sovranitet, ti nuk e pret Escobarin hiç, shkon i hjek ato barrikada".

Lajme të ngjashme