Pritja 7-vjeçare e familjes Pajazitaj për drejtësi - NACIONALE

Pritja 7-vjeçare e familjes Pajazitaj për drejtësi

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në muajin nëntor të vitit 2015 Kosova ishte tronditur nga një vrasje makabre që ndodhi në Deçan. Kur kanë kaluar afër 7 vjet nga ajo kohë, drejtësia për rastin e Donjeta Pajazitajt ende nuk e ka thënë fjalën përfundimtare. Pavarësisht se dy herë gjykatat në Kosovë kishin marrë aktgjykime për këtë rast, një here Apeli, e pastaj Supremja, e kishin kthyer rastin në rigjykim. E gjithë kjo situatë, ka zbehur shpresat e familjes Pajazitaj se drejtësia do të arrijë një ditë.

Më 10 mars ashtu siç bëri shumë shpesh tash e 7 vjet, Shkëlqim Pajazitaj mori rrugë drejt Gjykatës. Por, një gjë të tillë thotë se nuk do ta bëj më. Kjo pasi drejtësia e kërkuar për vrasjen e motrës, Donjeta Pajazitaj, edhe pas kaq vjetësh, ende nuk u arrit. Si rezultat, Shkëlqimi shprehet për gazetën Nacionale, se familjes Pajazitaj i kanë humbur shpresat se drejtësia mund të arrijë në vend.

“Për neve është shumë e vështirë, po kalojnë afër 7 vjet, dhe ende nuk është vendos një gjykim përfundimtar, siç po shihet nuk ka përfundim fare, është një lloj stresi psikik sa i përket neve si familje, diçka e pakuptimtë që po ndodh me këtë rast, nuk e di pse gjykatat po lejojnë kështu”, nis rrëfimin Shkëlqimi, vëllau i Donjetës që në nëntorin e 2015-ës ishte gjetur e vrarë në bjeshkët e Strellcit të Deçanit.

Një epilog përfundimtar duket ende larg. Tashmë rasti ka kaluar në Gjykatën Themelore të Ferizajt. Por, edhe kjo gjykatë shumë shpejt mund të mos jetë vendi ku do të shqyrtohet kjo vrasje. Kjo pasi, avokati Gëzim Kollçaku që mbron të akuzuarin, Naser Pajazitaj, ka bërë kërkesë që gjykimi të vazhdojë në një tjetër gjykatë.

Në Ferizaj apo në ndonjë gjykatë tjetër, familja ka pak shpresë se e vërteta do të zbardhet.

“Sa herë që shkojmë në seancë dhe e shoh të akuzuarin, them që nuk do të reagoj, por kur po i shoh se i kanë dëshmitë të gjitha kundër, dhe po thonë të pavërteta, atëherë po kam stres dhe siklet, dhe po e kam të pamundur mos me reagu”, tregon Shkëlqim Pajazitaj.

Seanca e fundit ishte paraprarë të mbahej më 10 mars, por familja Pajazitaj pa lejen e truit gjykues kishin lëshuar sallën në shenjë pakënaqësie.

Vëllai i të ndjerës Donjeta Pajazitaj, Shkelqimi shpreh mllefin e tij ndaj sistemit të drejtësisë: “nuk po e kuptoj pse po zvarritet kështu ky proces pasi që vrasje politike nuk është, pse mos me u zbulu deri me tani”, shprehet ai.

Ne nuk kemi avokat mbrojtës dhe as nuk na duhet sepse nuk i kemi bërë keq askujt që me u mbrojt me avokat. Dyshimet tona si familje janë që procesi po zvarritet herë në një gjykatë herë në tjetrën, pasi i akuzuarit është në moshë të shtyrë dhe në gjendje shëndetësore jo të mirë, dhe ai mund të ndërrojë jetë e të mbetet mister gjithë jetën se kënd e kishte bashkëpunëtor”, ka thënë vëllau i të ndjerës Donjetës.

Kujtome se seanca e fundit ishte mbajtur me 10 mars, e cila ishte shtyrë. Kjo pasi avokati i të akuzuarit Gëzim Kollçaku, ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që të përjashtohet Gjykata Themelore në Ferizaj dhe lënda të kalohet në një gjykatë tjetër. Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 7 prill, ku deri atëherë trupi gjykues është në pritje të përgjigjes nga Apeli.

Një drejtësi e vonuar

Që nga viti 2015 beteja e familjes Pajazitaj për drejtësi nuk u ndalë kurrë. E shkak për këtë, dolën dy herë vendimet e gjykatës të cilat më pas hidheshin poshtë.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj. Por, pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Naser Pajazitaj dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019. Por, në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Deri në një vendim përfundimtar të institucioneve gjyqësore, edhe pse thuajse të dorëzuar, familja Pajazitaj nuk do të rresht së ëndërruari për drejtësi në rastin e vrasjes së Donjetës.

Lajme të ngjashme