Pretendohet për rikthimin në punë të suspenduarve nga rasti i mostrave të Deharit - detajet e fundit
Janë kthyer në punë zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, të suspenduar pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit në laboratorin e Toksikologjisë.
Kjo është konfirmuar nga shefi i kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë, Genc Nimoni, i cili ka thënë se bazuar në Ligjin për shërbyes publikë, në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore janë të formuara dy komisione: komisioni disiplinor dhe komisioni për ankesa.
“Siç jeni në dijeni, komisioni disiplinor ka suspenduar zyrtarët në fjalë mirëpo të njëjtit janë kthyer nga komisioni i ankesave” – thuhet në përgjigjen e Genc Nimonit për Kallxo.com.
Nimoni ka bërë të ditur se legjislacioni në fuqi nuk i jep kompetencë ministres apo kabinetit lidhur me rastet e tilla.
“Të dy komisionet kanë pavarësi në vendimarrje. Siç jeni në dijeni, në rastin e zhdukjes së mostrave në laboratorin e toksikologjisë, Ministrja Haxhiu, ka njoftuar prokurorin dhe ka kërkuar nga drejtori i IML që konform ligjit dhe përgjegjësisë për të ndërmarrë veprime në lidhje me rastin. Pavarësisht ndjeshmërisë së rastit, si Ministri, nuk kemi asnjë kompetencë për kthimin apo mos kthimin e tyre në vendin e punës, pavarësisht që ne nuk pajtohemi me vendimin e tyre” – ka shtuar Ministria, duke uruar që Prokuroria Speciale e Kosovës sa më shpejt t’i adresojë përgjegjësit në mënyrë që ata të ndiqen penalisht”. – thuhet tutje në përgjigjen e Nimonit.
