Presione politike, dorëheqje, reagime: Çka po ndodh në RTK-në e ‘publikut’? - NACIONALE

Presione politike, dorëheqje, reagime: Çka po ndodh në RTK-në e ‘publikut’?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pak ditë më parë, në një letër publike, organizatat për lirinë e medias paralajmëruan rrezikun se pushteti nëpërmjet mekanizmave të instaluar në Televizionin Publik, po përgatisin shkarkimn e drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Megjithatë, kjo nuk ndodhi. Ndodhi një tjetër gjë. Ahmetxhekaj dha dorëheqje. Këtë e bëri, sipas tij, shkaku i presioneve të mëdha politike.

RTK-ja dihet se gjithmonë ka qenë cak i ndikimeve nga pushteti, dhe as këtë herë nuk ka ndodhur ndryshe. Me një aktivist e anëtar të VV-së në pozitën e drejtorit të televizionit, ndikimi nuk ka qenë asnjëherë më publik.

“Ky akt nuk është dorëzim dhe nuk reflekton vullnetin personal për të mos vazhduar me drejtimin e RTK-së, por është kulmim i një presioni politik 7 mujor që rezultoj me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik. Në këtë kontekst, qëndrimi im i mëtutjeshëm në këtë pozitë kur ka mosbesim, mungesë të mbështetjes për procesin e reformës së RTK-së dhe Strategjinë Zhvillimore 2024-2027, është i pakumptimtë dhe do të sillte vetëm bllokadë e stagnim për transmetuesin publik”, ka shkruar Ahmetxhekaj.

Në anën tjetër, në komunikatën e Bordit të RTK-së nuk u thanë shumë gjëra. Indirekt e fajësuan Ahmetxhekajn për mos-reagim ndaj disa presioneve që po i bëheshin punëtoreve të Radio Kosovës nga drejtori, Arsim Halili.

“Me z. Ahmetxhekaj Bordi ka pasur një bashkëpunim korrekt, ndërkaq javë më parë ka pasur mospajtime dhe qasje të ndryshme lidhur me rastin e dhunës psikike që ka ushtruar drejtori i radios z. Arsim Halili ndaj disa grave në RTK, veçanërisht ndaj udhëheqëses së zyrës ligjore. Bordi ka pritur që drejtori i përgjithshëm ta trajtojë këtë rast konform përgjegjësive të tij. Bordi rithekson që dhuna psikike dhe çfarëdo lloj presioni i ngjashëm nga kushdo ndaj kujtdo, janë të papranueshme dhe nuk do të lejohen në RTK”, thuhet në komunikatë.

Sindikatat e RTK-së, që janë disa, e mirëpritën dorëheqjen e Ahmetxhekajt. Megjithatë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënoi ashpër presionin politik që dyshohet se vjen nga partia në pushtet.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet e muajve të fundit në RTK, që kanë rezultuar të dielën me largimin e Shkumbin Ahmetxhekajt nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar në një letër të organizatave ndërkombëtare të lirisë së medies. Bordi i RTK-së, duhet të shpjegojë nëse i nënshtrohet presionit politik në vendim-marrjen e vet, dhe nëse detyrimi për largimin e Ahmetxhekajt, ka ardhur si pasojë e kësaj”, thuhet në komunikatë.

E si përgjigje ndaj AGK-së, reagoi njëra prej anëtareve të Bordit të RTK-së. Megjithatë, kjo nuk u mor me Ahmetxhekajn. Në atë që u duk më shumë si përgjigje ndaj komunikatës së Asociacionit, Arta Berisha pati kritika për mënyrën se si u mbajtën zgjedhjet e AGK-së. Çuditërisht, kjo iu kujtua pasi AGK-ja dënoi presionet politike në RTK, ku pa faj nuk është as bordi.

“Perpara per kryesi te AGK-se ka pase gare reale, ne nderkohe ka ndodhur diçka qe gara eshte reduktuar ne dy njerez, i pari qe fiton dhe i dyti qe po thone qe e ka bere kuorumin.

Megjithate Asociacioni i Gazetareve duhet te mbeshtetet edhe pse shikuar nga perberja e mediumeve ne bordin e AGK-se nuk jane te perfaqesuara te pakten tri mediume te medha dhe te rendesishme te cilat jane ende vatra te shume familjeve kosovare”, thuhet në postimin e saj.

Një reagim më të ashpër e pati kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj. Ai i kërkoi Ahmetxhekajt që nëse ‘do të shpëtojë me fytyrë’ të tregojë se kush i bëri presion, dhe kush e bëri lajmin për atentat ndaj Kurtit në Shkup.

“Kujt i duhet korrektësia jote Shkumbin? T ‘duhet mbase ty, kredos tënde t ‘pastër. Mirë, ruaje ku është ftohtë. I duhet figurës së supozuar të "djalit t' mirë". Publikut, medias, lirisë i duhet tjetër gjë. I duhet dëshmia jote, rrëfimi yt. I duhet guximi yt. Kush presion? Pse politik? Pse që 7 muaj, çka krisi para 7 muajsh? Kush e prodhoi shpifjen për atentatin ndaj Kryeministrit në Shkup? Fol Shkumbin. Pozita jote t ‘detyron para publikut. Nëse nuk flet, akti i dorëheqjes është një rahati personale, një qyqarllëk”, ka shkruar Molliqaj.

Mbetet të shihet se cila do të jetë situata tash e tutje në Televizionin Publik në Kosovë. Apo më mirë thënë, televizionin e pushtetit.

Lajme të ngjashme