Presidentja Osmani në takim me Abdixhikun dhe shefin e Inteligjencës tash e dy orë
Burime të gazetës Nacionale kanë konfirmuar se Presidentja Osmani e ka thirrur në takim kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe se i njëjti ka filluar më shumë se dy orë më parë.
Ajo që është e pazakontë nga ky takim është prania edhe e shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, z. Petrit Ajeti.
Ky lajm nuk është konfirmuar ende nga partia më e vjetër parlamentare në vend por as nga Presidenca. Megjithatë, burimet e mirinformuara i kanë thënë redaksisë se takimi ka më shumë se dy orë që po zgjat dhe që mbahej edhe derisa mbahej mbledhja e Qeverisë së Kosovës.
Presidentja besohet se ka ftuar në takime edhe krerët e partive tjera parlamentare.
Besohet që tema e këtij takimi është terrorizmi që ndodhi të dielen në Banjskë të Zveçanit, e ku mbeti i vrarë një polic i Republikës së Kosovës (i shpallur tashmë hero) dhe tre terroristë serbë.
Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, e ka denoncuar ashpër terrorizmin që ndodhi më 24 shtator. Ai ka kërkuar në një takim me emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin që të dënohej edhe gjuha luftënxitëse e presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme u kuptua që nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiq, ishte pjesë e sulmit terrorist. Ai shihej në disa pamje të publikuara edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla.
Në anën tjetër, Serbia ka shpallur ditë zie dje për terroristët e vrarë. Ky veprim është cilësuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si luftënxitës.
Deri tash, nuk dihet nëse ndonjë president në të kaluarën ka ftuar në të njëjtën kohë edhe krerët e partive opozitare por edhe shefat e AKI-së.

