Presidentja Osmani për Epopenë e UÇK-së: Gjaku i tyre i njomë u bë dritë udhërrëfyese për çdo shqiptar
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka publikuar me rastin e shënimit të 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe rënies së komandatit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij.
Ajo ka publikuar një fotografi të vjetër të fëmijëve të familjes Jashari.
Osmani në mbishkrimin e kësaj fotografi ka shkruar se gjaku i tyre u bë dritë udhërrëfyese për shqiptarët.
“Gjaku i tyre i njomë u bë dritë udhërrëfyese për çdo shqiptar! Lavdi përjetësisht!” – ka shkruar Osmani në Facebook.
Ndryshe, Osmani, do të marrë pjesë sot në ceremoninë e rreshtimit të të kuadrateve të FSK-së, që mbahet për rastin e shënimit të 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Ceremonia do të mbahet në kazermën “Adem Jashrari” dhe do të fillojë në ora 12:00.
“Mbahet Ceremonia e Rreshtimit të Kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së. Merr pjesë dhe presidentja Vjosa Osmani. (Kazerma “Adem Jashari”, Prishtinë)” – thuhet në njoftim.
Sot bëhen 25 vjet që nga rrethimi dhe rënia e familjes së Jashrëve në Prekaz të Drenicës.
Sulmi i tretë, që kishte ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, kishte marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.
