Presidentja kërkoi masë të përkohshme, PDK e LDK jo: A po i shërben Osmani Kurtit dhe VV-së? - NACIONALE

Presidentja kërkoi masë të përkohshme, PDK e LDK jo: A po i shërben Osmani Kurtit dhe VV-së?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar se në lëndën e saj për Gjykatën Kushtetuese ka kërkuar edhe masë të përkohshme për pezullimin e rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh. Kjo ka nxitur reagime të shumta në vend, pasi që një gjë të tillë nuk e kishin kërkuar PDK-ja dhe LDK-ja në rastet e tyre që i kanë dërguar në Kushtetuese.

Kërkesa e Osmani po shihet në linjë me kërkesën e VV-së, e cila në muajin maj kishte kërkuar nga partitë tjera politike të dakordohen që përpjekjet për konstituimin e Kuvendit të mbahen një herë në javë dhe jo çdo 48 orë, siç parashihet me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Në konferencën për media, Osmani ka treguar pse e ka bërë një gjë të tillë.

“Së bashku me kërkesën për interpretim ne po ashtu kemi dorëzuar kërkesën edhe për masë të përkohshme, e cila kërkon edhe për pezullim të afatit kushtetues, e parandalon shkeljen e kushtetutës nga ana e Kuvendit, konstituimit pas afatit që do të ishte në kundërshtim me kushtetutën. Pa u pezulluar ky afat, ne nuk mund të parandalojmë këtë dëm të pariparueshëm. Jemi të bindur që kërkesa për masë të përkohshme. Po rrezikohet rendi kushtetues, mbes me shpresë që Gjykata Kushtetuese ta prioritizojë.”, ka thënë Osmani.

Ndër të tjera, ajo ka treguar se pse në kërkesën e saj për Gjykatën Kushtetuese nuk e ka përfshirë çështjen e votimit të fshehtë.

Ajo ka vlerësuar se kjo çështje është adresuar nga PDK-ja dhe LDK-ja.

“Sa i përket votimit të fshehtë, ne nuk e kemi trajtuar këtë çështje, për shkak se është trajtuar në dy kërkesat e reja që janë për momentin para Gjykatës Kushtetuese, një e dorëzuar nga PDK dhe një nga LDK. Pra, nuk kemi menduar se është e nevojshme që ta trefishojmë kërkesën e njëjtë. Ato kërkesa tashmë janë duke u trajtuar nga Gjykata Kushtetuese edhe pse asnjëra nuk kanë paraqitur kërkesën për masë të përkohshme, por thjeshtë sqarim rreth procedurave që duhet të ndjeken dhe shpresojmë shumë që edhe për këtë çështje të këtë përgjigje”, ka thënë Osmani.

Kërkesa e Osmani në shërbim të Kurtit

Kërkesa e presidentes Osmani ka nxitur reagime të shumta në vend. I pari që ka reaguar ka qenë analisti Shkëlzën Maliqi.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se me këtë kërkesë Osmani po ia zgjat Kurit bllokadën.

“Osmani në panikë lyp pezulim afati me ia zgjatë Kurtit bllokadën dhe vetes gjasat për mandat të dytë. Çfarë gardiane koti”, ka shkruar ai.

Edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, mendon njëjtë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka vlerësuar se kërkese për masë të përkohshme është e paarsyeshme.

“Sot, e marte, në ora 16:00, Gjykatës Kushtetuese iu paska drejtua një kërkesë pothuaj urdhëruese: "Nxirrni një vendim, masë të përkohshme...." Lexo: për vazhdim të amullisë! Pse duhej pritur pothuaj fundin e afatit për të bërë një kërkesë të tillë???!!! Nëse kjo kërkesë përfillet, Gjykata Kushtetuese do të bëj shkelje të rëndë të Kushtetutës së Kosovës!”, ka shkrua ai.

VV-ja kishte kërkuar që seancat të mbahen një herë në javë

Nga frikë se mbajtja e seancës konstituive çdo 48 orë mund të irritonte qytetarët e Kosovës, VV-ja në muajin maj kishte kërkuar nga partitë politike të pajtohen që seancat të mbahet një herë në javë.

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, kishte thënë se kjo kërkesë ka qenë normale.

“Seanca është filluar me një kërkesë për konsultim nga kryesuesi i seancës që në një dakordim të plotë nëse ka në mes të grupeve parlamentare, në një shmangie të rregullores ose procedurës të paraparë me rregullore, të dakordohemi të takohemi më rrallë për arsye se 48 orëshi në vazhdimësi po përsëritet po shihet se nuk e ka atë rezultat”, ishte shprehur ajo.

Por, PDK-ja dhe LDK-ja kishe parë hile në këtë kërkese.

Aso kohe, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kishte thënë se kjo kërkesë kishe qenë në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

“Në kundërshtim me rregulloren që thotë se duhet të mblidhemi çdo dy ditë derisa të konstituohet Kuvendi, ata kërkuan që të mblidhemi një herë në javë. Këto janë dy probleme: e para; është krejtësisht e papranueshme të bëhet një kërkesë e tillë për të shkelë rregulloren me vetëdije deputetët e Republikës së Kosovës dhe e dyta kjo tregon që i tyre s’është në asnjë mënyrë për të tentuar për të bërë zgjidhje apo për të lëvizur përpara, por thjesht këto përsëritje, këto repriza të mos mbahen çdo dy ditë, po çdo javë. Kërkesa ishte e Lëvizjes Vetëvendosje që të mblidhemi një herë në javë. Ne thamë që s’mund ta shkelim rregulloren dhe duhet të mbahet çdo 48 orë, ashtu siç e parasheh rregullorja”, kishte thënë Krasniqi.

Edhe LDK-ja kishte treguar pse nuk e kishte përkrahur këtë kërkesë të VV-së.

“Po e filloj me këtë propozimin që e dha zoti Dehari në fakt ishte kërkesë për të gjitha partitë, që në qoftë se pajtohemi të mblidhemi jo çdo 48 orë, por të mblidhemi një herë në javë. Në fakt ne këtë e shohim indikacion shtesë që LVV-ja nuk është absolutisht e interesuar që ta bëj konstituimin e kuvendit, do më thënë ata mungesën e institucioneve të kuvendit dhe të qeverisë e kanë reduktuar në problem të mbledhjes çdo 48 orë të deputetëve”, kishte thënë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Lajme të ngjashme