Presidenti serb takon ambasadorin rus, i ankohet për gjendjen e serbëve në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur në takim ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan Harchenko.
Te diplomati rus, ai është ankuar për gjendjen e serbëve në Kosovë.
Sipas tij, komuniteti serb në Kosovë është në “gjendje të vështirë”.
“I thashë gjithashtu se sa e vështirë është pozita e popullit serb [në Kosovë]", ka shkruar Vuçiq në llogarinë e tij në “Instagram”, raporton REL.
Kurse, sipas agjencisë së lajmeve Beta, ambasadori rus i ka premtuar presidentit serb se do ta adresojë këtë çështje.
“Kosova do të jetë një nga çështjet më prioritet gjatë të ashtuquajturit sesion ministror në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në tetor pritet një seancë e Këshillit të Sigurimit dhe gjithashtu do të ofrojë mundësi që Rusia ta paraqesë qëndrimin e saj parimor, bazuar në Rezolutën 1244, për mbrojtjen e serbëve që jetojnë në Kosovë”, ka thënë diplomati rus.