Presidenti i Kroacisë e godet BE-në në Hungari: Kontrolli juaj i tepërt e largoi Britaninë
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, tha të premten se përpjekjet e Bashkimit Evropian për të mbajtur standarde demokratike në vendet anëtare rrezikojnë që ta copëtojnë bllokun dhe i dënoi përpjekjet e BE-së për ta ndëshkuar financiarisht Hungarinë për pretendimin se ky shtet i ka shkelur standardet e sundimit të ligjit.
Milanoviqi e dha këtë deklaratë gjatë një konference për gazetarë në kryeqytetin hungarez, Budapest, pas takimit me homologen hungareze, Katalin Novak. Presidenti kroat u bëri jehonë kritikave të shpeshta hungareze për BE-në, duke thënë se Bashkimi Evropian po i tejkalon kompetencat e veta mbi shtetet anëtare dhe se ky kontroll i tepërt e ka nxitur Brexit-in dhe e ka larguar Britaninë e Madhe nga blloku.
Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk duhet të bëhet “Shtete të Bashkuara të Evropës”, duke shtuar se procedurat e BE-së kundër Hungarisë – duke ngrirë miliarda euro fonde për Budapestin për shkak të shqetësimeve për korrupsion e sundim të ligjit – janë kërcënim për ta shkatërruar bllokun.
“Ky lloj i qasjes (mes BE-së e Hungarisë) është thellësisht irrituese”- tha ai,- duke paralajmëruar se “sot është Hungaria, nesër do të jetë ndonjë vend më i madh që duhet të marrë një mësim”.
Milanoviqi i fitoi zgjedhjet presidenciale në Kroaci në fund të vitit 2019 si kandidat liberal e me prirje të majtë, ndryshe nga qeveria konservatore që tash është në pushtet. Megjithatë, ai i është kthyer nacionalizmit populist dhe i ka kritikuar politikat perëndimore ndaj Ballkanit dhe ndaj Rusisë.
Rrjedhimisht, Milanoviqi është bërë i njohur si politika pro-rus, edhe pse ai e mohon këtë. Megjithatë, presidenti kroat i ka kundërshtuar haptazi pranimin e Finlandës e të Suedisë në NATO gjatë kohës së luftës në Ukrainë dhe trajnimin e ushtarëve ukrainas në Kroaci si pjesë e ndihmës së BE-së për vendin e përfshirë nga lufta.
Ai nuk i përkrah sanksionet kundër Rusisë dhe luftën në Ukrainë e ka përshkuar si konflikt prokurë mes Rusisë e Shteteve të Bashkuara.
“Pyetja është se sa shumë dëm do të na sjellin neve (sanksionet). Kjo krijon dëm në Evropë. Ne ia dolëm që t’i bëjmë bashkë Rusinë e Kinën. Në interesin e kujt është kjo. Të gjitha këto pyetje duhet të marrin përgjigje para meje, sidomos nga ata që po marrin vendime në emrin tim. Unë kërkoj një përgjigje”- tha presidenti kroat.
