Presidenca konfirmon raportimin e Nacionales: Për herë të parë pas shumë procesesh, BE s’dërgon mision vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit
Zyra e ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar raportimin e Nacionales se Bashkimi Evropian nuk do të dërgojë Mision Vëzhgues të Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Presidenca ka bërë të ditur se ka pranuar përgjigje zyrtare nga BE-ja lidhur me ftesën për vëzhgim ndërkombëtar të procesit zgjedhor. Sipas kësaj përgjigjeje, për shkak të afatit të shkurtër deri në mbajtjen e zgjedhjeve, nuk është e mundur që BE-ja të angazhojë as Mision Vëzhgues të Zgjedhjeve dhe as Mision të Ekspertëve Zgjedhorë.
Megjithatë, Presidenca ka refuzuar të pranojë faktin se kërkesa iu injorua nga BE-ja.
Sipas pretendimit, Bashkimi Evropian është duke shqyrtuar dhe koordinuar një formë tjetër të pranisë ndërkombëtare në ditën e zgjedhjeve, përmes Zyrës së BE-së në Kosovë, shteteve anëtare dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që veprojnë në vend.
“Paraqitja e kësaj çështjeje si injorim i kërkesës së u.d. Presidentes është e pasaktë dhe nuk pasqyron përmbajtjen e komunikimit zyrtar ndërmjet institucioneve”, pretendon Zyrës së Presidentes.
Që nga zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe ato parlamentare të vitit 2014, BE-ja kishte qenë vazhdimisht e pranishme me misione të posaçme vëzhguese për vëzhgimin e procesit zgjedhor.
Lexo më shumë: https://nacionale.com/politike...
Në proceset e mëparshme zgjedhore, vëzhguesit evropianë ishin regjistruar me emrin “EU Election Expert Mission”.
Sipas të dhënave të KQZ-së, vetëm katër organizata ndërkombëtare do të angazhohen në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve: Parliamentary Assembly of the Council of Europe me 19 vëzhgues, Programi i Vëzhguesve Ndërkombëtarë me 22 vëzhgues, Institut de Coopération et Développement me 75 vëzhgues dhe National Democratic Institute me 14 vëzhgues.
BE do të jetë pjesë e vëzhgimit të zgjedhjeve vetëm përmes stafit të zyrës së saj në Kosovë, që si përfaqësi diplomatike “EU in Kosovo” është akredituar me 44 vëzhgues.