Miratohet teksti i kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën
Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, Presidenca Çeke, ka njoftuar se Ambasadorët e BE-së, kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovë.
Ky është hapi i fundit para miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE-së.
Në muajt e parë të vitit 2023, pritet miratimi përfundimtar, ndërsa qytetarët e Kosovës pritet që deri në fund të vitit 2023 të lëvizin pa viza.
“Ambasadorët e BE-së miratuan tekstin e kompromisit për #liberalizimin e vizave për #Kosovën përpara miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE-së” - thuhet në njoftim.
Presidenca çeke tha se ky vendim e çon Kosovën një hap më tej në rrugën e saj evropiane.
#COREPERII | ✅ EU ambassadors approved the compromise text on #visa liberalisation for #Kosovo ahead of final adoption by @EUCouncil. #EU2022CZ brings Kosovo one step further on its European path. pic.twitter.com/9xHZFidj3N
— EU2022_CZ (@EU2022_CZ) December 20, 2022
Çka raportoi Nacionale?
Presidenca e çeke e Këshilit të Bashkimit Evropian e kishte konfirmuar për Nacionalen se sot gjatë ditës do të ketë një takim të ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku ata do të njoftohen edhe për aplikimin e Kosovës në BE.
Në përgjigjen e tyre thuhet se Presidenca çeke në BE pritet që sot në takimin e ambasadorëve të BE-së apo siç njihet ndryshe takimi i “COREPER II”, do t’i njoftojë ata për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
“Siç e dini, ministri për Çështje të BE-së, Mikulas Bek, e ka pranuar të enjten aplikimin në emër të Presidencës së Këshillit të BE-së. Ne planifikojmë që t’i informojmë të gjitha shtetet anëtare sot për të në takimin e COREPER II [Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian] të Ambasadorëve.”, thuhet në përgjigjen e tyre dhënë Nacionales.
Kujtojmë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 15 dhjetor dorëzoi në Pragë të Çekisë kërkesën zyrtare të aplikimit të Kosovës.
Ndërkohë javën e kaluar, Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë nënshkruar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në ceremoninë e nënshkrimit, krerët e shtetit thanë se aplikimi i Kosovës në BE është moment historik.
“Sot është një ditë historike. Është moment historik.”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq, një ditë më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,udhëtoi për në Çeki ku dorëzoi edhe zyrtarisht aplikimin e Kosovës për në BE.
Kurti nga atje ka thënë se “kjo është një ditë historike për popullin e Kosovës dhe një ditë e madhe për demokraci në Evropë.”
“Ajo flet për aspiratat tona për t'iu bashkuar BE-së - me të cilën ndajmë vlera dhe ideale të përbashkëta - si një proces historik nga një projekt politik paqeje dhe prosperiteti.”, ka thënë Kurti ndër të tjera.