“Precedent i rrezikshëm”; “të anulohet": Qysh e kundërshtonin Osmani, Konjufca e Kurti vendimin për Manastirin e Deçanit? - NACIONALE

“Precedent i rrezikshëm”; “të anulohet": Qysh e kundërshtonin Osmani, Konjufca e Kurti vendimin për Manastirin e Deçanit?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka njoftuar se është pajtuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të ia dhënë token e kërkuar Manastirit të Deçanit. Para kabinetit qeveritar, ai ka bërë me dije se ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale të Kosovës për të regjistruar token në emër të manastirit.

Por, kryeministri Albin Kurti, presidentja Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca e kishin kundërshtuar fuqishëm vendimin e Kushtetueses për këtë çështje.

Madje, këtë kundërshtim ata e kishin bërë edhe pasi kishin marrë postet më të larta publike. Ndonëse ishin të vetëdijshëm se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të kontestohet, ata vazhdonin ta sfidonin atë me deklarata publike, duke e cilësuar vendimin si të rrezikshëm.

Para një viti, kryeministri Albin Kurti, në një prononcim për RTK-në, kishte thënë se ai vendim ka për bazë një vendim të kohës së Millosheviqit.

Unë e kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet të ketë një hapësirë, unë e kuptoj që kanë nevojë për qetësinë e ambientit, ndihmën e Qeverisë së RKS-së, mirëpo ne kemi rezervën e zakonshme për vendimet e regjimet e Millosheviqit, të cilat për bindjen time janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar në faza të zakonshme. Me ç’rast nuk duam t’i dominojmë, por në të njëjtën kohë besoj se duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre, se vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tonë”, kishte thënë Kurti.

Ai e paraqiste si argument shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, si argument për moszbatimin e këtij vendimi.

Ne nuk mund të kthehemi as para vitit 1999, e as para 2008 e 2012, kur është hequr mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Këto janë gjëra të cilat kanë ndodhur në të kaluarën, jemi këtu ku jemi dhe çfarëdo përpjekje për t’u kthyer në të kaluarën unë besoj që nuk mund të ketë të ardhme”, ishte shprehur Kurti.

Të njëjtën gjë e argumentonte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, të cilën e kishte dhënë vitin e kaluar, ajo kishte thënë se ky vendim është diskriminues.

Aty kemi të bëjmë me një vendim që bazohet në vendimet diskriminuese të kohës së Millosheviqit dhe këtu është e gjithë përgjigja. Madje, edhe në vitin 1999 kur Kosova administrohej nga Kombet e Bashkuara, rregullorja e parë e UNMIK-ut në Kosovë lidhur me ligjet e aplikueshme në Kosovë pati paraparë që vendimet dhe ligjet e kohës së Millosheviqit nga marsi i vitit 1989 deri në qershor 1999 janë të pazbatueshme në Kosovë për shkak të natyrës së tyre diskriminuese”, kishte thënë Osmani.

Ajo kishte paralajmëruar se ky mund të jetë një precedent i rrezikshëm.

Madje, shefja e shtetit kishte thënë se zbatimi i këtij vendimi do të krijonte probleme marramendëse në Republikën e Kosovës.

Unë mendoj që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për precedentin që krijohet nga një vendim i tillë, sepse pastaj institucionet e Kosovës nuk mund të thonë ne po e zbatojmë një vendim, i cili buron nga koha e Millosheviqit, por jo edhe qindra e mijëra të tjerë. Pra, do të krijonte probleme marramendëse në Republikën e Kosovës.”, kishte vlerësuar Osmani.

Edhe më i ashpër, ka qenë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Kojufca.

Në një intervistë për “Rubikon”, të cilin e kishte dhënë në fund të vitit 2021, ai kishte thënë se ky vend nuk duhet të zbatohet.

Ata që i përkasin shteteve të pjekura, iu duket fort e pranueshme dhe fort e gabueshme sepse bazamenti i shtetit është kur institucioni kryen punën e vet sipas kompetencave. Unë them që ai nuk duhet të zbatohet. Sepse unë kam hy dhe e kam studiu kuadrin ligjor, jo të Gjykatës Kushtetuese, por kuadrin ligjor të pronësisë dhe vendimit politik kur është marrë dhe në bazë të cilit ka marrë Gjykata Kushtetuese. Pra është dimensioni i parë që për mua është skandaloz”, kishte thënë Konjufca.

Çka tha sot Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është dorëzuar për çështjen e tokës së Manastirit të Deçanit.

Ndonëse këtë vendim e kishte kundërshtuar me vite, ai sot ka bërë me dije se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës t’ia regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit, ashtu siç ka kërkuar Gjykata Kushtetuese.

Në mbledhje të Qeverisë, ai ka thënë se këtë e ka bërë për shkak të anëtarësitë të Kosovës Këshill të Evropës.

Kërkohej vendim i arsyeshëm, por jo i drejtë. Megjithatë për të arritur një qëllim shumë më madhor e që hap mundësi të papara më herët, ne duhet të bëjmë hapa përpara si vend sovran. Sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kurse ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës. Më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme, kah mesi prillit është Asambleja Parlamentare, dhe në fund të majit është mbledhja e këshillit të ministrave”, ka thënë Kurti.

Në adresimin e tij para kabinetit qeveritar, ai ka treguar se pse e kanë kërkua një gjë të tillë.

Një raport i juristëve eminent, dokument zyrtar i Këshillit të Evropës, ka konstatuar se Kosova është shtet me kuadër të qëndrueshëm të institucioneve demokratike. Raporti ka listuar disa kushte nga të cilat ka qenë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit të vitit 2016. Raporti është publik dhe nuk mund të ndryshohet apo përjashtohet nga rruga jonë për në Këshillin e Evropës”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se ky ka qenë kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Do të mbetet aty sot si kush pas 1 viti pas 10 vitesh. Pas një procesi masiv të vizitave, takimeve, na është bërë e qartë që nga shumë kushte për anëtarësim në Këshillin e Evropës, disa janë plotësuar, e disa janë jo rugjente. Por njëri mbetet dhe nuk do të hiqet: zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Qeverisë i është bërë e qartë nga komiteti i asamblesë parlamentare, nga grupet politike, nga shtetet e QUINT-it që ne duhet të zgjedhim mes dy opsioneve: të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimit në Këshillin e Evropës, apo heqja e agjendës nga anëtarësimi”, është shprehur Kurti.

Më tej, ai është munduar të arsyetohet, duke thënë se nuk kanë pasë zgjidhje tjetër.

E provuam me datë 5 mars që ta shtyjmë por pa sukses, u bindëm që duhet të zgjedhim njërin opsion. Nuk ka zgjidhje të tretë. Si kryeministër nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm e i padrejtë, e ndërkohë ka procese tjera gjyqësore pezull, teksa ne si qeveri nuk kemi mjete legale e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk do e ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dësmshëm asnjëherë. Nuk ka dyshim që anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte jo vetëm fitore, por hap gjigand drejt njohjes nga 5 shetet evropiane që mundëson anëtarësim në BE”, ka thënë Kurti.

Në vitin 2016, Gjykatës Kushtetuese ia kishte njohur drejtën Manastiri të Deçanit në pronësi të një sipërfaqeje prej rreth 24 hektarësh.
Kjo sipërfaqe, e cila ndodhet rreth manastiri, ka qenë e regjistruar si pronë e dy ndërmarrjeve "Iliria" dhe "Apiko".
Nga ky vit, të gjithë qeveritë e Kosovës kishin refuzuar zbatimin kwtw vendim.

Lajme të ngjashme