Pranvera e çmimeve të larta e lë Kosovën larg fqinjëve dhe mbi mesataren evropiane
Në pranverën e vitit 2026, inflacioni në Ballkanin Perëndimor nuk ndjek të njëjtin ritëm për të gjithë, me Kosovën që po ballafaqohet me presione shumë më agresive të çmimeve.
Në hartën ekonomike të rajonit, një vend është shkëputur dukshëm: Kosova.
Renditja sipas inflacionit vjetor
Inflacioni: Kosova në raport me vendet fqinje
Në muajin mars, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në Kosovë shënoi 6,7%, për t'u ngjitur në 7,5% gjatë prillit. Ndonëse në maj zbriti lehtë në 6,8%, inflacioni sërish mbeti dukshëm më i lartë se në çdo vend tjetër fqinj.
Krahasimi me Eurozonën na jep pamje edhe më të zymtë për sa i përket goditjes që po pëson fuqia blerëse e qytetarëve të Kosovës. Ndërkohë që inflacioni në Eurozonë ishte 2,6% në mars, 3,0% në prill dhe 3,2% në maj, Kosova qëndroi +4,1 pikë përqindjeje mbi këtë mesatare në mars, +4,5 pikë në prill dhe +3,6 pikë në maj.
Kontrasti më i dhimbëshem vihet re në krahasimin me Shqipërinë.
Në prill, Kosova shënoi inflacion vjetor prej 7,5%, krahasuar me vetëm 2,8% në Shqipëri. Ky hendek prej +4,7 pikësh përqindjeje përfaqëson dallimin më të madh në të gjitha krahasimet bilaterale të rajonit.
Edhe Serbia regjistroi shifra ndjeshëm më të ulëta, me 3,3% në prill dhe 3,5% në maj. Mali i Zi, ndonëse përdor euron njësoj si Kosova, e mbajti inflacionin në 3,8% në prill dhe 3,6% në maj.
Maqedonia e Veriut ishte disi më afër, por sërish poshtë Kosovës, me 5,7% në prill dhe 4,8% në maj. Bosnja dhe Hercegovina arriti në 6,8% gjatë prillit, por deri më 20 qershor ende nuk e kishte publikuar shifrën e muajit maj.
Çka e nxiti këtë rritje të ndjeshme?
Të dhënat e ASK-së nxjerrin në pah tre motorë kryesorë: transportin, kostot e banimit (përfshirë energjinë dhe shërbimet komunale) si dhe ushqimet. Në maj, transporti ishte 14,1% më i shtrenjtë se një vit më parë, ndërkohë që karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet personale të transportit u shtrenjtuan me 31,2%. Në tabelën e çmimeve mesatare, dizeli kërceu nga 1,18 euro për litër në majin e vitit 2025, në 1,60 euro në maj 2026, rritje strastoferike prej 35,6%.
Tendenca rritëse u reflektua edhe në sektorë të tjerë. Në mars, shërbimet e tjera të lidhura me pajisjet personale të transportit u rritën me 42,5%, biletat e fluturimeve me 38,4%, ndërsa furnizimi me ujë dhe shërbimet e banimit me 31,9%.
Pranvera e vitit 2026 konfirmoi një shkëputje drastike të Kosovës nga trendi rajonal, duke qëndruar vazhdimisht rreth tre pikë përqindjeje mbi mesataren e fqinjëve, muaj pas muaji.