Pranimi i Asociacionit nga Kurti e ringjall idenë e ndryshimit të kufijve - NACIONALE

Pranimi i Asociacionit nga Kurti e ringjall idenë e ndryshimit të kufijve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pranimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga kryeministri Albin Kurti, nuk është mirëpritu në Kosovë. Rënie e rezistencës së Kurtit ndaj këtij mekanizimi ka bërë që shumë njohës të rrethanave politike në vend të mendojnë për alternativa tjera të zgjidhjes së problemit me Serbinë.

Ndonëse nga liderët aktual institucionalë të Kosovës është vlerësuar si projekt i vdekur, tani ka filluar të ringjallet ideja e ndryshimit të kufijve, apo shkëmbimit të territoreve, e cila ishte prezantuar nga ish-president Hashim Thaçi në vitin 2018.

Për shumë kënd kjo ide është me e mirë se ajo e Asociacionit me kompetenca ekzekutive.

Madje, kjo ide tani po shihet me simpati edhe nga ata që e kishin kundërshtuar dikur.

Analisti Jusuf Thaçi ka bërë me dije se çdo asociacion do të ishte më i keq se ripercaktimi i kufijve.

"Ripërcaktimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë: zgjidhja e vetme e mundshme që ka mbetur për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Tashmë që kështjella e fundit që rezistonte kundër Zajednicës/Asociacionit ra (Albin Kurti dhe LVV-ja), në horizont mund të shihet vetëm një zgjidhje e mundshme për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë (meqë Zajednica nuk duhet të lejohet assesi në Kosovë, as e fortë e as e dobët, sepse çfarëdo mekanizmi a ingerence shtesë për komunitetin serb në Kosovë nga ato që aktualisht ata kanë me kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës do të jetë dëmtim shtesë i funksionalitetit të shtetit të Kosovës)", ka shkruar ai në profilin e tij në "Facebook".

Thaçi, i cili ishte pjesë e kabinetit qeveritar Kurti 1, ka bërë me dije se ripercaktimi i kufijve duhet të bëhet sipas disa kushteve dhe hapave.

"Ripërcaktimi i kufijve (shkëmbimi i territoreve bazuar në gjendjen ekzistuese) të jetë i balancuar, që nënkupton aq sa jep, aq merr (edhe në sasi edhe në vlerë). Në këtë pikë është e sigurt që Serbia kërkon të marrë shumë më shumë se sa të japë, mirëpo këtë diferencë (apetit) që kërkon Serbia do duhej ta kompenzonte komuniteti ndërkombëtar me mjetet e instrumentet e veta, jo Kosova. 2. Me rastin e ripërcaktimit të kufijve nuk duhet të ketë lëvizje të popullatave e as spastrim etnik të asnjë lloji. Secili qytetar duhet ta ketë mundësinë dhe të drejtën të jetojë i lirë e i qetë aty ku ka lindur dhe ku është autokton. 3. Kosova dhe Serbia duhet të pajtohen që pas ripërcaktimit të kufijve të ketë reciprocitet të plotë për të drejtat e pakicave (gjithë çfarë ofrohet për serbët në Kosovë duhet të ofrohet edhe për shqiptarët në Serbi dhe anasjelltas)", ka shkruar ai.

Edhe Lëvizja për bashkim mendon se Plani i BE-së dhe ankesi i zbatimit të kësaj marrëveshje nuk e zgjidhin problemin Kosovë-Serbi.

Kjo parti ka vlerësuar se zgjidhja e duhur është ripercaktimi i kufijve.

"Lëvizja për Bashkim thekson se qeveria e Kosovës, duke ndjekur rrugën e gabuar, e ka futur vendin në presion të fuqishëm ndërkombëtar për zbatimin e një marrëveshjeje, që, në fund të fundit, nuk është zgjidhje.Lëvizja për Bashkim, edhe një herë deklaron se pa shtrimin e drejtë për zgjidhje të problemeve të mbetura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra pa reciprocitet në të drejta deri në ripërcaktim të kufijve, nuk do të ketë marrëveshje finale, nuk do të ketë zgjidhje e as pajtim të dy vendeve", ka vlerësuar LB në një komunikatë për media.

Ndryshimi i kufijve, i dëmshëm

Ndaj ringjalljes se kësaj ideje ka reaguar drejtori i KIPRED, Lulzim Peci, i cili e ka kundërshtuat një gjë të tillë.

Ai ka vlerësuar se kthim kah kjo ide është i dëmshme për Kosovën.

"Diskutimi i ndryshimit të kufijve të Kosovës, pasi në fund u pa ajo që dihej që moti, pra që themelimi i Asociacionit është i domosdoshëm, është më se i kotë, dhe aq më tepër i demshëm për interesat e vendit tonë. Vetëm po na duhet edhe një herë që me dorën tonë t’i relativizojmë kufinjtë e Kosovës! Gjashtë muajt e ardhshëm janë thelbësor për të ardhmen e Kosovës. Sa nuk është vonë, Qeveria duhet të hapë kuletën dhe të angazhoj ekspertët eminent perëndimor për të arritur më të mirën e mundshme. Mungesën e fuqisë relative të Kosovës, duhet ta komplementojnë njohuritë e eksperteve dhe shkathtësia diplomatike", ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebok”.

Ideja e ri përcaktimit të kufijve ishte prezantuar nga ish-presidenti Hashim Thaçi në vitin 2018.
Ai kishte thënë se ideja më e mirë për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë është ripercaktimi i kufijve. Mirëpo kjo ide ishte kundërshtuar nga lidershipi i brendshme i Kosovës dhe disa faktorë ndërkombëtar.

Ndër kritikuesit më të mëdhenj ishte kryeministri i asaj kohe Ramush Haradinaj. Me ardhjen në pushtet të LV-së, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se kjo ide ka vdekur dhe nuk do të diskutohet asnjëherë në procesin e dialog Kosovë-Serbi.

Lajme të ngjashme