"Poshtërimi më i madh": Lista Serbe del kundër regjistrimit të popullsisë
Lista Serbe, që është aktualisht partia më e madhe serbe në Republikën Kosovë, ka dalë kundër organizimit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Lista Serbe e ka bërë të qartë se “populli serb nuk do të marrë pjesë në censusin e ardhshëm të rremë.”
Tutje, Lista Serbe ka shkruar se pjesëmarrja në proceset e organizuara nga kryeministri Albin Kurti do të ishte “poshtërimi më i madh.”
“Pjesëmarrja në proceset e organizuara nga Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë në një moment kur i njëjti Kurti u ka mohuar serbëve të drejtën për pensione, paga, ka paaftësuar funksionimin normal të shëndetësisë, përfitimet sociale, ka hequr të drejtën e votës, serbët janë arrestuar dhe persekutuar, komunat e pushtuara me dhunë, militarizuan veriun e Kosovës, ndaluan vaksinimin dhe dërgimin e barnave, pamundësuan dërgimin e ushqimeve dhe sendeve ushqimore nga Serbia qendrore, shfuqizuan të gjitha marrëveshjet e arritura dhe të drejtat e garantuara prej tyre për popullin serb, ndaloi shtypin serb…” – thuhet ndër të tjera në këtë njoftim të Listës Serbe.