Politikani serb proteston në Prishtinë, mbrohet nga politikani shqiptar
Një protestë e pazakontë ka ndodhur në Prishtinë sot. Një politikan serb – lideri i iniciativës Mbijetesa Serbe – ka protestuar bashkë me një politikan shqiptar në lidhje me mos-vendosjen e flamujve të komuniteteve joshumicë në objektet qeveritare.
Zëvendës-kryetari i Kuvendit komunal në Mitrovicën e Veriut, Skënder Sadiku, ishte i pranishëm në protestën e sotme të politikanit serb Aleksandër Arsenijeviq.
Në këtë protestë, z. Arsenijeviq – politikan kundërshtar i Listës Serbe – ka kërkuar që të vendoset edhe flamuri serb, ai turk dhe flamuj të komuniteteve tjera.
“Kosova është shtet multi-etnik,” – ka thënë ai.
"Unë do të jem kosovar deri në pikën e fundit, por nuk mund të detyrohem që të deklarohem si shqiptar," - vazhdoi tutje z. Arsenijeviq. Ai kërkoi që 14 qershori të njihej dita e multietnicitetit në Kosovë, derisa tha se komuniteti serb nuk e kishte ditën e saj të përcaktuar në Kosovë.
Sidoqoftë, Policia e Kosovës nuk e ka lejuar atë që të vendos edhe flamujt e komuniteteve jo-shumicë, siç ndodhet i vendosur edhe flamuri i Shqipërisë.
“Kjo është çështje e shkeljes së Kushtetutës dhe shkelje e të drejtave të njeriut,” – ka deklaruar ai.
Skënder Sadiku e mbrojti Arsenijeviqin kur Policia e Kosovës i kërkoi që të largohej.
