‘Policia po e kryen punën, s’ka najfar telashi’: Çka tha Sveçla pak orë para se të arratisej edhe një i burgosur?
Të premten pak para mesnate, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të njoftonte për një konferencë të jashtëzakonshme për media. Krejt kjo, pasi edhe një person i burgosur ka ikur nga burgu i Dubravës, këtë herë. Çka deklaroi ministri Xhelal Sveçla pak orë para këtij rasti?
Një person tjetër ka ikur nga burgu të premtën e 12 korrikut. Në lidhje me këtë, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka paralajmëruar një konferencë për media, ku do të flasin zëvendësministri i Drejtësisë dhe Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së.
"Ju ftojmë të merrni pjesë në konferencën për media, e cila do të mbahet në Drejtorinë Qendrore të Shërbimit Korrektues të Kosovës, nesër më 13 korrik 2024, në orën 11:00, për të diskutuar lidhur me dy largimet e fundit nga institucionet e tipit të hapur. Në këtë konferencë do të jenë të pranishëm, Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Blerim Sallahu, dhe Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, z. Ismail Dibrani, të cilët do të japin informacione të detajuara mbi këtë çështje dhe do të përgjigjen në pyetjet tuaja”, është thënë në njoftimin e ShKK-së.
Para pak ditësh, nga burgu iku edhe Faton Hajrizi, i cili ende është i pakapshëm për institucionet e drejtësisë, derisa është parë “live” nëpër rrjete sociale si Tik Tok.
Drejtësisë i kanë ikur edhe Enver Sekiraqa dhe Marko Roshiq.
Çka tha Sveçla për këto zhvillime?
Pikërisht mbi këto zhvillime u pyet Sveçla pasditen e së premteës, ku dha një deklaratë goxha të çuditshme.
Ministri i Punëve të Brendshme, e konsideroi si të arratisur vetëm Faton Hajrizin, por jo edhe Enver Sekiraqën e Marko Roshiqin.
“Unë nuk e kapi askënd, janë institucionet që mirren me ta.” – tha ai për “Dukagjinin”.
Sipas tij, nuk janë tre të arratisur por vetëm një. Madje, ministri u duk që siguroi se nuk ka ndonjë telash, pasi sipas tij, Policia e Kosovës po kryen punën e saj.
“Nuk janë tre persona të arratisur, një është arratisur. Tjerët nuk janë paraqitur para drejtësisë kur është kërku prej tyre. Policia e kryen punën e vet. Nuk ka najfar telashe.” – ka thënë ai.
Vlen të theksohet se para një jave, Faton Hajrizi u largua nga Qendra e Burgimit në Smrekonicë.
Hajrizi është arratisur nëntë herë nga burgjet e Kosovës, së fundmi ai ka folur edhe për ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pasi ky i fundit kishte thënë se është çështje orësh kur ai arrestohet.
“E pyes Sveçlën, ke punu në furrë a si është puna se i kishe do orë të furrigjisë. Nuk mundesh me me kapë ti mu, kurrë s’mundesh me me kap, o ministër i punëve të kota. Ata të cilët me kishin kap edhe me marrëveshje janë në Hagë atje, që ja kisha ngu hatrin, jo lepurushat e Vetëvendosjes, ju njohim mirë kush jeni.” – ka deklaruar Hajrizi nga arratia.
Lëvizja Vetëvendosje ka refuzuar që në seancën e të enjtes në Kuvendin e Kosovës të diskutohet për ikjet e fundit nga burgjet e Kosovës dhe arratisjet e personave të dënuar.
Partitë opozitare kanë kërkuar përgjegjësi prej zyrtarëve të Ministrisë së Dritësisë për këtë çështje.
Ata kanë kërkuar që të mbahet një debat parlamentar në lidhje me këtë çështje, por deputetët e VV-së me shumicë votash kanë refuzuar mocionin e opozitës.