Policia përgënjeshtron pjesërisht Presidencën: Në veri janë djegur dy vetura me targa serbe, jo tri - NACIONALE

Policia përgënjeshtron pjesërisht Presidencën: Në veri janë djegur dy vetura me targa serbe, jo tri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefi i Stafit të Presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka njoftuar se sot janë djegur 3 vetura në mëngjes në veri të vendit. Por, version tjetër ka treguar Policia e Kosovës.
Nacionale ka kontaktuar zëdhënësin e Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, i cili e përgënjeshtroi pjesërisht këshiltarin e Presidentes.

Vela tha se janë djegur tri vetura, Policia thotë se janë dëmtuar dy. Çka po ndodhë?

Në llogrinë e tij në "Twitter", Vela ka treguar se si ka ndodhur incidenti. Sipas tij, tri makina të tjera janë djegur sot.

“Vazhdon fushata kriminale e djegies së veturave në veri të Kosovës! Tri makina të tjera janë djegur sot herët në mëngjes. Strukturat ilegale të Serbisë tani po targretojnë serbët vendas që ata konsiderojnë se po bashkëpunojnë me institucionet. Çdo autor do të dalë para drejtësisë!” – shkroi Vela.

Por, për të njejten ngjarje version tjetër ka Polcia e Kosovës. Veton Elshani zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut i ka thënë Nacionales, se bëhet fjalë për “dëmtim” të dy makinave dhe jo tri.

Madje, Policia konfirmon se asnjëra nga veturat nuk ishte me tabela "RKS".

Janë dëmtuar dy vetura. Nuk janë tri. Në vendin e ngjarjes ka dalur Policia, aty kanë qenë tri vetura, por dy janë dëmtuar e jo tri. Madje asnjëra prej tyre nuk i ka pasur tabelat RKS.” – ka thnë Elshani për Nacionalen.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe Ministrin për Kthim e Komunitete në Qeverinë e Kosovës , Nenad Rashiq, por i njejti ka thënë se nuk është i informuar fare për këtë rast.

Nuk është hera e parë që Vela del me deklarime për incidentet në veri para policisë së Kosovës.

Edhe më herët, kur grupet kriminale kanë djegur veturat e serbëve që janë konvertuar në targa RKS, këshilltari i presidentes ka qenë i par që ka njoftuar opinionin në llogarinë e tij në “Twitter”.

Zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar sot listën e qendrave të votimit për zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Në bazë të listës, vërehet se qendrat alternative të votimit, apo qendrat kontejnerë janë të vendosura afër magjistraleve.

Njohësit e proceseve zgjedhore kanë bërë me dije se kjo ka ndodhur për arsyeje të sigurisë.

KQZ-ja ka bërë me dije se kjo listë është bërë në koordinim më organet e sigurisë.

Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtyre zgjedhjeve, më 14 prill 2023, KQZ-ja ka miratur listën e qendrave të votimit për këto zgjedhje. Sipas vendimit të KQZ-së, numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime. Lista e qendrave të votimit është përgatitur në bashkëpunim dhe koordinim me organet e sigurisë”, ka bërë me dije KQZ-ja.

Zgjedhjet s`do të jenë të lira

Edhe Eugen Cakolli nga KDI ka bërë me dije se mbajtja e zgjedhjeve në këto kushte do të jetë problematike.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka treguar se pse ka ndodhur kjo.

Veç ka qenë e ditur se KQZ-ja nuk do të mund të ketë qasje në të gjitha qendrat e votimit në veri të vendit, sepse zyrtarët lokalë serbë kanë refuzuar që të ofrojnë qasje në qendrat e zakonshme të votimit. Nga ajo kohë janë diskutuar modalitet e votimit nëpër qendra alternative. Vlerësoj se votimi në qendra alternative tregon edhe një herë se këto zgjedhje janë vetëm sa për të thënë që organizohen”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe interesimi i votuesve për këto zgjedhje do të jetë minimal.

Është e qartë se do të këtë interes minimal nga ana e votuesve të komunitetit serb që të marrin pjesë në këto zgjedhje, duk shërbye kështu si bazë edhe për kontestim të institucioneve te reja ta dala nga zgjedhjet. Nga ajo çfarë kemi parë është se këto kontejnerë do të vendosen pran magjistraleve në mënyrë që të jenë në zona të hapura publike, ku mund të ketë më shumë ofrim të sigurisë nga policia”, është shprehur ai.

Cakolli ka bërë me dije se këto zgjedhje nuk do të jetë as të drejta e as të lira.

Ky proces nuk i plotëson mbase asnjë prej parakushteve për të qenë proces i rregullt dhe i mirëfilltë zgjedhor siç jemi mësuar të kemi në Kosovë tash e një dekadë. Mirëpo, ka qenë e ditur se ky proces do të organizohet në rrethana të tilla për shkak të dorëheqjeve. Në kuptimin formal, zgjedhjet do të jenë të rregullta, do të plotësohen kriteret minimale ligjore, por në kuptimin përmbajtjesor dhe cilësor vlerësoj se zgjedhjet nuk do të jenë as afërisht të drejta dhe të lira siç do të duhej të ishin”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme