Policia ndalon katër vetura në Bubë të Zubin Potokut, kontrabandonin pije alkoolike e ushqim
Policia e Kosovës ka njoftuar se në fshatin Bubë të Zubin Potokut është parandaluar një kalim ilegal i kufirit.
Sipas Policisë raportohet se janë ndaluar katër vetura, të cilat kanë hyrë ilegalisht nga Serbia në Kosovë.
“KALIM ILEGAL I KUFIRIT/KONTRABANDIM ME MALLRA
Fsh.Bubë, Zubin Potok 05.09.2024-07:05. Raportohet se nga njësitë policore janë ndaluar 4 vetura (tri me targa serbe dhe një me targa lokale) të cilat hynin ilegalisht, nga territori i Serbisë në R. e Kosovës. Gjatë kontrollit dhe verifikimit të tyre, në të gjitha këto vetura kishte të ngarkuar mall të kontrabanduar, kryesisht pije alkoolike dhe produkte të ndryshme ushqimore. Pas kontrollimit të dokumentacionit dhe veturave, është vërejtur se asnjëri nuk kishte dokumentacion mbi prejardhjen e mallit. Në lidhje me rastin veturat dhe mallrat janë konfiskuar dhe dorëzuar në terminal doganor, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar, personat lirohen dhe rasti shkon në procedurë të rregullt” – thuhet në njoftim.