Policia jep detaje: Persona të maskuar sulmuan gazetarët e Klan Kosova, dy prej tyre kanë marrë trajti mjekësor - NACIONALE

Policia jep detaje: Persona të maskuar sulmuan gazetarët e Klan Kosova, dy prej tyre kanë marrë trajti mjekësor

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth sulmit të gazetarëve të “Klan Kosova”, duke thënë se po merret me zbardhjen e rastit.

Përmes një komunikate për media, Policia konfirmoi se sulmi është kryer nga disa persona të maskuar dhe se dy nga gazetarët, kanë mbetur të lënduar dhe kërkuan trajtim mjekësor.

“Lidhur me rastin Policia e Kosovës, po kryen hetime me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar.” – thuhet tutje në komunikatën e policisë.

Njoftimi i plotë:

Informacion zyrtar,

Prishtinë, 26 dhjetor 2022

Sot, me datën 26.12.2022 në Fshatin Zupçe të Zubin Potokut, nga persona të dyshuar është sulmuar një ekip me gazetarë të televizionit Klan Kosova.

Sulmi ndaj tyre dyshohet se është kryer nga disa persona të maskuar, të cilët me mjete të forta (gurë) kanë sulmuar automjetin e mediumit dhe gazetarët të cilët ishin në detyrë.

Si pasojë e sulmit, vetura ka pësuar dëme materiale, përderisa dy nga personat/gazetarët e midiumit kanë pësuar lëndime dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor.

Lidhur me rastin Policia e Kosovës, po kryen hetime me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar.

Me respekt,

Zyra për informim

Lajme të ngjashme