Policia e Kosovës sekuestron mbi 18 kilogramë substancë narkotike në Prishtinë
Policia e Kosovës ka sekuestruar mbi 18 kilogramë drogë, gjatë vazhdimit të operacionit të koduar “peshorja”, ku me datë 29 dhjetor 2022 kishe arrestuar tre persona si dhe kishin sekuestruar 1 kilogramë e 215 gramë substancë narkotike.
Ndërsa sot, PK fillimisht kishe ndalur për kontroll një veturë ku kishin gjetur substancë narkotike tek i dyshuari V.K. dhe pas kësaj në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë kanë bastisur dy lokacione.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në luftën e saj kundër drogave ka vazhduar punën dhe angazhimin e saj në zgjerimin e hetimeve lidhur me rastin paraprak të koduar ‘’Peshorja’’ (ku me datë 29.12.2022 rreth orës 10:45 kishte realizuar operacionin taktik dhe si rezultat ishin arrestuar tre (3) persona të dyshuar dhe ishin konfiskuar 1 kg 214.75 gr. substancë e dyshuar narkotikë), dhe sot me datë 16.01.2023 gjatë zbatimit të masave të veçanta të autorizuar edhe nga Prokuroria dhe Gjykata Themelore në Prishtinë është ndaluar vetura golf 3 me targa vendore që drejtohej nga i dyshuari mashkull kosovar me iniciale (V.K; 1982) dhe gjatë kontrollit është gjetur substance e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë. Në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe me Urdhër verbal të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake në Prishtinë është realizuar një operacion kontrolli në dy shtëpi në Prishtinë dhe një shtëpi në Barilevë, KK-Prishtinë.” – thuhet në njoftimin e PK-së.
Tutje nga policia kanë bërë të ditur se në lokacionin e parë kanë sekuestruar mbi 18 kilogramë drogë, që dyshohet të jetë e llojit Marihuanë.
“Në lokacionin e parë gjatë realizimit të kontrollit në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar:
• (18 kg 300 gr.) substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë.
• (1) veturë me targa vendore.
• (1) telefon.” – thuhet ndër të tjera në njoftim.
PK ka bërë të ditur se në lokacionin e dytë dy të dyshuarit nuk kanë qenë në shtëpi.
“Gjatë kontrollit të shtëpive, dy persona tjerë të dyshuar me iniciale (V.K; 1994 dhe S.S; 1979) nuk kanë qenë në shtëpi dhe të njëjtëve u është lënë ftesa për lajmërim në Polici. Në realizim të këtij operacioni policor antidroga është mbështetur edhe nga Njësia K9 dhe Njësia e Krim Teknikes Regjionale Prishtinë. Me vendim mbi ndalimin e personit, të dyshuarit tani më të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, përderisa hetime nga antidroga e Policisë së Kosovës janë në proces lidhur me rastin.” – ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
