Policia e Kosovës pas tentim sulmit ndaj Jasharajt: Kemi iniciuar hetim - NACIONALE

Policia e Kosovës pas tentim sulmit ndaj Jasharajt: Kemi iniciuar hetim

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka bërë me dije se pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave që kanë karakterizuar ngjarjen e sotme, pas tentim-sulmit ndaj Rrahman Jasharajt, kanë iniciuar një hetim ndaj një të dyshuari, për veprën penale “Kanosje”. Por, më herët Policia kishte dhënë tjetër qëndrim.

“Ndërlidhur me rastin pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave që kanë karakterizuar ngjarjen përfshirë këtu edhe intervistimin e dëshmitarëve okular, me rekonamandimin e prokurorit të shtetit policia ka iniciuar një hetim ndaj një të dyshuari nën dyshimet për veprën penale “Kanosje”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Paraprakisht, Policia e Kosovës i kishte thënë Nacionales se rasti ishte thjesht "mosmarrëveshje", duke nënkuptuar se nuk do të ndërmerrnin asnjë veprim për rastin.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj gjatë vizitës në këtë shkollë kishte tentim për t'u sulmuar nga një person me emrin Musli Rexhepi.

“O armik, o armik,” – raportohet të ketë bërtitur qytetari derisa po priste daljen e Rrahman Jasharajt nga klasa për ta sulmuar.

Por, Rexhepi e ka "arsyetur" këtë tentim sulm.

“Mbesën time e kam regjistruar në klasë të parë sivjet. Erdha të pyes a po fillon mësimi apo jo. Hyra në sallë ku po mbahej mbledhja e Sindikatës. E pashë, armikun e këtyre nxënësve, se askënd tjetër nuk e ofendoj vetëm atë personalisht. Ai e ka marrë një kokëfortësi në vete e i ka nda edhe arsimtarët edhe arsimin. Ky është armik, më i zi se shkau”, deklaroi ai pas përplasjes në klasë”, ka thënë Rexhepi.

Për rastin u shpreh edhe z. Jasharaj.

“Një prind deshi të më sulmojë, ishte tendencioze – mund të sulmohem edhe në rrugë", deklaroi ai.

Lajme të ngjashme