Policia e Kosovës e vazhdon edhe për 10 ditë konkursin për policë në Veri - NACIONALE

Policia e Kosovës e vazhdon edhe për 10 ditë konkursin për policë në Veri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka vazhduar edhe për dhjetë ditë afatin për aplikim për pozitë “zyrtarë policorë” për Mitrovicën Veriore.

Sipas njoftimit, ky afat vazhdohet edhe për dhjetë ditë, deri më datën 10 shkurt 2023.

“VAZHDON AFATI I KONKURSIT - PRODUŽENJE ROKA KONKURSA Afati për paraqitjen e aplikacioneve vazhdohet për dhjetë (10) ditë duke filluar nga data 27.01.2023 deri me datë 10.02.2023. Vëmendje: Kriteret në konkurs mbeten të njëjta si dhe kandidatët të cilët kanë konkurruar në këtë konkurs nuk është e nevojshme të aplikojnë përsëri.” – thuhet në njoftimin e policisë të publikuar në Facebook.

Ndërkohë, Nacionale ka raportuar se Policia e Kosovës po e mban sekret numrin e aplikantëve. Në interesimin e gazetës Nacionale për të pasur shifrat e aplikantëve, Policia nuk ka treguar detaje.

“Siç jeni të informuar konkursi është hapur, përfshirë me kriteret që parashihen, ndërsa sa i përket procesit/çështjeve të mëtejme rreth konkursit në fjalë do të informoheni me kohë sipas planifikimeve/fazave që parashihen”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Policisë.

Autoritetet e drejtësisë në Kosovë këtë konkurs e hapën pasi rreth 550 pjesëtarë të komunitetit serb u larguan nga Policia e Kosovës në katër komunat në veri të shtetit nëntorin e vitit 2022.

Lajme të ngjashme