Policia demanton mediat serbe: Të ndaluarit Pantiq ju dhanë barnat e nevojshme
Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për situatën në veri të vendit. Në komunikatë përshkruhet situata atje, duke theksuar se përshkak të bllokimit të rrugëve, ka ndryshuar mënyra e punës te të gjitha institucionet në veri.
Në komunikatë thuhet se Policinë e Kosovës, nuk e kanë ndalur barikadat, sepse ajo ka vazhduar me punën e saj.
Tutje aty, demantohen mediat serbe, të cilat këto ditë po shkruajnë se ish policit të Kosovës, nga komunteti serb, tashmë të ndaluarit nga Policia, të cilit ju dhanë 30 ditë paraburgim, nuk po i respektohen të drejtat e njeriut, e nuk po i ipen barnat e nevojshme.
Sipas Policisë së Kosovës, këto janë spekulime, sepse në fakt, të ndaluarit Dejan Pantiq, i janë dhënë barnat e nevojshme, dhe se atij po i respektohen të gjitha të drejtat.
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Prishtinë, 14 dhjetor 2022
Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të vazhdueshëm dhe të drejtë të opinionin publik, njofton se edhe sot situata e sigurisë në veri të vendit është e njëjtë, dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç dihet për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale.
Aktet kriminale, vendosja e barrikadave, sulmet me armë zjarri e mjete shpërthyese, kanë vështirësuar punën e institucioneve të sigurisë, kanë cenuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave, por nuk kanë ndaluar punën e Policisë së Kosovës e cila në vazhdimësi është angazhuar maksimalisht në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve dhe vendit.
Po ashtu në vazhdimësi e kemi bërë të ditur se Policia e Kosovës punën e bazon në vlerat e saja si profesionalizmi, përgjegjësia dhe integriteti, në kuadër të të cilave ofron siguri dhe trajton të gjithë qytetarët pa dallime.
Andaj, spekulimet e vazhdueshme nga persona të caktuar dhe disa media kryesisht serbe, përfshirë spekulimin e fundit të publikuar përmes video-mesazhit, se gjoja zyrtarët policorë nuk e kanë trajtuar si duhet dhe nuk i kanë ofruar barnat mjekësore personit të dyshuar (D.P.), njofton dhe sqaron se:
I njëjti është trajtuar mjaft mirë konform rrethanave të krijuara, ndaj të njëjtit janë respektuar të drejtat njerëzore që i takojnë personit të ndaluar, i janë lexuar të drejtat e tij, i është ofruar avokati mbrojtës si dhe i është lejuar përdorimi i barnave mjekësore. Po ashtu Policia e Kosovës ka arritur që të sigurojë barnat e nevojshme për personin e ndaluar.
Duke marrë për bazë situatën e krijuar, bllokimin e rrugëve nga grupet kriminale, të cilat vetë po pengojnë qytetarët dhe komunitetin në lëvizjen e lirë, në qasjen dhe shërbimet e nevojshme, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës në të gjitha rastet në veri të vendit.
Edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës po angazhohet në të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime.