Policia arreston dy persona të kërkuar me urdhëresa gjyqësore
Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Gjilan ka njoftuar se dje ka arritur që të arrestojë një 20 vjeçar me inicialet L.Z dhe 29 vjeçarin Sh.Xh.
Siç thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës, i arrestuari i parë ishte e kërkuar në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore Gjilan me dënim burgimi prej tre vite e tetë muaj për veprat penale ,, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
Thuhet se i arrestuar i dytë ishte i kërkuar po ashtu në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata me dënim burgimi prej dy vite e tre muaj për veprën penale ,,Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
“Pas përfundimit të procedurave të dy të arrestuarit janë dërguar në vuajtje të dënimit. Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan do të vazhdojë me realizimin e urdhëresave ndaj personave që ende nuk i janë përgjigjur thirrjes së gjykatave”, thuhet në komunikatën e PK-së.
