Policia angleze e zë me kanabis, shqiptari fshihet mbi kulmin e shtëpisë - NACIONALE

Policia angleze e zë me kanabis, shqiptari fshihet mbi kulmin e shtëpisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një burrë i quajtur Etmond Lika, i përfshirë në mirëmbajtjen e një ferme kanabisi brenda një shtëpie, u mundua të ikte nga policia duke u fshehur mbi kulmin e shtëpisë, është thënë në një gjykatë.

Burri 32-vjeçar u shfaq të martën përmes video-lidhjes në Gjykatën e Kurorës në Liverpool, pasi u deklarua fajtor për një pikë të akuzës për përfshirje në prodhimin e kanabisit, raporton “Liverpool Echo”.

Prokurori Christopher Hopkins tha në gjykatë më 24 shkurt se një bravandreqës ishte angazhuar për ta ndërruar drynin e derës së hyrjes në një adresë në Rrugën “Stanley” rreth mesditës.

“Ai e vërejti atë për të cilën mendoi se ishte repart i kanabisit në pronë dhe e thirri policinë. Ai mendoi se dikush ishte brenda.”

Më vonë pasdite, policia e kontrolloi pronën dhe zbuloi se brenda gjashtë dhomave kishte hapësirë për rritjen e kanabisit, të paktën 200 bimë. Policia gjeti dëshmi se dikush ishte duke jetuar aty, përfshirë ushqimin.

Lika u përpoq t’i shmangej policisë duke hipur mbi kulmin e shtëpisë përmes një dritareje në kulm, por në fund u kap dhe u arrestuar.

Hopkins tha: “Lika ishte punësuar nga dikush për ta menaxhuar ose udhëhequr këtë repart, qoftë duke u kujdesuar për bimët, qoftë çfarëdo tjetër që kërkohej.”

32-vjeçari u intervistua nga policia dhe fillimisht mohoi se ishte i përfshirë, por tha se kishte arritur në Britani përmes një barke në shtatorin e vitit të kaluar me shpresë se do të gjente mundësi më të mira ekonomike. Lika tha se kishte paguar 5 mijë euro për atë udhëtim.

Avokatja Olivia Beesley tha se klientit të saj i ishin ofruar nga 100 funte në ditë për të jetuar në atë pronë dhe se ai është larguar nga Shqipëria për arsye ekonomike. “Ai dëshiron të punojë, por e di tani se do të duhej të punonte përmes kanaleve të duhura”- shtoi ajo.

Lajme të ngjashme