Poema e mjerimit kthehet në prozë: Qysh do të duket Kosova nën masat e sotme detyruese?
Qeveria e Kosovës ka marrë disa masa detyruese për kursim të energjisë elektrike, dhe të cilat po konsiderohen si të çuditshme nga qytetarët, me autorin e këtij shkrimi që e përshkroi si “kur “Poema e Mjerimit” (Migjeni) hidhet në prozë”. Por, si do të duket kjo prozë e mjerimit në Kosovë?
Në secilin objekt qeveritar e në secilin objekt të komunës nuk do të ketë më dritë të ngrohtë të verdhemë (me më pak dritë të kaltër), që është më e këndshme për sy, por dritë të bardhemë (me më shumë dritë të kaltër). Poçat LED mund të jenë edhe të dëmshme për shëndetin sipas disa hulumtimeve. Por, kjo është thjesht një prej shumë pikave të miratuara – për zbatimin e të cilave do të caktohet një person që punon në objektin respektiv.
“Kafshatë që s'kapërdihet asht, or vlla,
mjerimi, kafshatë që të mbetë në fyt edhe të ze trishtimi;
kur shef ftyra të zbeta edhe sy të jeshilta”
Potencialisht, kjo mund të vë në vështirësi shumë prej zyrtarëve publikë që mund të kenë probleme me shikimin. Për më tepër, për zëvendësimin e poçave standardë me poça LED (Pika 1 e vendimit) mund të jetë e domosdoshme shpallja e një tenderi, që do t’i kushtonte buxhetit të Kosovës.
Nën regjimin e këtyre masave, ngrohjet do të ndalen sa herë që nuk ka prezencë fizike. Kjo nënkupton se zyret do të duhen të kontrollohen shumë herë në ditë nga punonjësit përgjegjës nëse janë apo jo të populluara me njerëz për të ndalur apo lëshuar ngrohjen. Një punë më e lehtë do të jetë ndalja e ngrohjes nëpër korridore.
“Mjerimi ka vulën e vet të shëmtueme;
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme;
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin,”
Nuk dihet nëse kjo do të prodhojë më shumë zyrtarë publikë të sëmurë për shkak të të ftohtit.
Pika tre është paksa e mjegullt, por si duket do të ndalojë edhe ngrohjen e kafeve apo çajërave që punonjësit mund t’i pijnë.
“Mjerimi s'ka fat. Por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese;
të shkyme dhe të coptuem me të dalun bese;”
Për më tepër, punëtorët e sektorit publik – e këtu mund të futet edhe kryeministri dhe ministrat – do të kenë për obligim që t’i fikin kompjuterët nëse nuk i përdorin për 10 minuta. Nuk dihet se kush do të mas kohën e përdorimit ose jo të kompjuterëve, por kjo mund të shtojë inspektimet nëpër zyre nga njerëzit e autorizuar.
“Mjerimi kaiher' i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis së ndytë,”
Po ashtu, si një masë shtesë parashihet ndalimi i përdorimit të ngrohësve me energji elektrike në institucionet publike.
Sa i përket ndriçimit nëpër zyre, parashihet që të mos ndezen dritat deri në momentin e perëndimit të diellit – ose deri në kohën kur nuk ka më dritë të mjaftueshme natyrore.
Një goditje këto masa detyruese do t’jua bëjnë edhe sektorit të reklamave. Çdo billbord apo reklamë me energji elektrike do të ndalet, ashtu sikurse edhe ndriçimi dekorativ.
Ka një pikë që parasheh që brenda çdo institucioni të caktohet një person përgjegjës për kursim të energjisë elektrike, por nuk dihet nëse për këtë pozitë do të ketë kompensim shtesë, apo penalitet të caktuar në rast se nuk përmbushen përgjegjësitë e përcaktuara.
Por, masa detyruese ka edhe për ndriçimin publik.
Në këto masa parashihet ndalimi i plotë i ndriçimit publik gjatë ditës kur ka dritë.
Përveç kësaj, parashihet edhe minimizimi (ndalja e çdo të tretës llambë) i ndriçimit në autostrada e rrugë regjionale “për aq sa nuk përbën rrezik për sigurinë e qytetarëve dhe funksionimin normal të komunikacionit.”
Dhe pika e fundit, dhe më problematikja, është “ndalja e ndriçimit në hapësirat e monumenteve historike, lapidarëve dhe muzeve.”
Nacionalja i ka shkruar Qeverisë së Kosovës për të mësuar më shumë detaje.
Zëdhënësi i saj, Përparim Kryeziu tha se me këtë vendim ndalohet çdo ndriçim që nuk është i domosdoshëm.
"Sipas vendimit të sotëm, ndalohet i gjithë ndriçimi i cili nuk është domosdoshëm për sigurinë fizike të objektit apo monumentit. Pra ndalohet ndriçimi dekorative. Kjo nuk do të thotë që me këtë vendim në monumentet historike lapidaret dhe muzetë do të mungojë tërësisht ndriçimi", tha Kryeziu për Nacionalen.
Deri më tash, nuk ka masa detyruese për kursim të energjisë elektrike te qytetarët e vendit. Kosova është përballur me reduktime të ashpra të energjisë elektrike gjatë mesit të muajit gusht, ndërkohë që gjatë ditës së djeshme kryeministri Kurti është takuar dje me kryeministrin Rama dhe mes temave ishte ajo e energjisë elektrike.



