Po zbehet apo po rritet figura e tij: Si u përkujtua Adem Demaçi në katërvjetorin e vdekjes?
Janë bërë katër vjet që nga vdekja e veprimtarit të shquar, Adem Demaçit. Përkujtimi për të, megjithatë, si duket po zbehet e nuk po rritet nën zhvillimet e diktuara politike që përveç historisë po rrezikojnë edhe kujtesën kolektive. Si u përkujtua z. Demaçi?
Demaçi do të vdiste në moshën 82 vjeçare në Prishtinë, duke lënë pas mbi 60 vjet angazhim publik. Ai ishte shquar për aktivizmin e tij politik, mu në kohën kur aktivizmi politik ishte i dënueshëm rëndë.

Demaçi shkurt
Arrestimi i parë i tij kishte ndodhur qysh në vitin 1958 për kundërshtrimin e regjimit autoritar të Josip Broz Titos. Aty i kishte kaluar plot tri vjet burg. Më pas, ishte burgosur sërish për dhjetë vjet të tjera mes viteve 1964 dhe 1974 dhe pastaj mes viteve 1975 dhe 1990. Ai do të kalonte njëzet e tetë vjet në burgjet jugosllave, duke u konsideruar gjerësisht si një prej disdentëve më të njohur politik në mbarë Jugosllavinë.
Pas përfundimit të burgimit, z. Demaçi kishte shërbyer si kryeredaktor i gazetës Zëri në Prishtinë, ndërsa në vitin 1991 kishte marrë çmimin prestigjioz të Parlamentit Evropian për Liri të Mendimit që mbante emrin e disidentit të shquar rus Andrei Sakharov.

Gjatë kohës së luftës ai kishte qendruar në Prishtinë duke shërbyer deri në mars të vitit 1999 si drejtor i Zyres së UÇK-së.
Demaçi gjerësisht konsiderohet si një ndër veprimtarët më meritorë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Demaçi sot
Deri në momentin që po shkruajmë (15:16, 26 korrik) kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka bërë asnjë shkrim në të cilin do të përkujtonte veprën e Demaçit, siç kishte bërë viteve të kaluara.
Për shkak të kundërshtimeve të forta që kishte pasur me politikën pacifiste të Ibrahim Rugovës dhe po ashtu për shkak të lidhjeve më të forta me krahun e luftës, Demaçi nuk ka gëzuar asnjëherë një nam të madh në kampin e mbështetësve të LDK-së.

Por, pikërisht Kurti ishte bërë sebep që në rolin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani t’i shkonte te varri në të paktën dy raste.
Hera e parë kishte qenë më 17 shkurt të vitit 2021, tri ditë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit kur ende ishte ushtruese e detyrës së presidentes. Aty do ta quante “simbol të rezistencës” dhe “veprimtar të çështjes kombëtare”.

Herën e dytë, ishte te varri i Demaçit para një muaji, më 12 qershor, kur e quajtu “veprimtar që një jetë të tërë ia kushtoi çështjes kombëtare”.
Por, Osmani kishte qenë e ashpër ndaj Demaçit në të kaluarën, ndër tjerash edhe kur kishte shprehur “indinjatë të thellë” ndaj deklaratave të tij lidhur me kolonelin Tahir Zemajn.

Deri në momentin që po flasim, Demaçi nuk është përkujtuar as nga znj. Osmani.
Demaçi megjithatë është përkujtuar nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati dhe ministri i Drejtësisë Albulena Haxhiu.
Nacionale ka hapur një sondazh vetëm për lexuesit e saj në Viber për figurën e z. Demaçi. Për ta parë mund të klikoni KËTU.
